Rexhepi: Procesi zgjedhor i bukur nga jashtë por i kalbur nga brenda

“Procesi zgjedhor ishte si puna e mollës së bukur nga jashtë, por e kalbur nga brenda” tha sekretari gjeneral i Alternativës, Skender Rexhepi, në edicionin e lajmeve në TV21. Ai duke folur në cilësinë e përfaqësuesit të koalicionit “Tash është koha” të përbërë nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, tha se në këto zgjedhje “shqiptarët kanë qenë më shumë se të shantazhuar, të shtypur, kërcënuar e të blerë”.

“Fatkeqësish atë moto që tash 18 vite e ka pasur BDI-ja që ta varfërojë popullin dhe sa më i varfër populli aq më lehtë të blihet, ajo moto u dëshmua në 3 ditët e fundit ku kishim kërcënime dhe shantazhime të pandalshme. Pasi që i takoj njësisë zgjedhore numër 1, ku jam bartës, isha dëshmitar i shumë veprimeve të tilla. Jo vetëm shitja dhe blerja e votave për çmime shumë të lira, por konsideroj se shqiptarët nga varfëria e skajshme u detyruan që krenarinë e tyre ta shesin për 1, 2 apo 3 mijë denarë, që është fatkeqësi që ua ka sjellë BDI-ja dhe jam i bindur se këtë fakt e dinë shumë mirë se me sa dinjitet është kjo “fitore” e tyre, prej te Ali Ahmeti deri tek ai banditi, rrugaçi i fundit që ka bërë këtë veprim duke kërcënuar, shantazhuar njerëz” tha Rexhepi.

Ndonëse janë të bindur se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është skajshmërish i partizuar dhe politizuar, prapëseprapë Rexhepi tregoi se koalicioni “Tash është koha” do të dorëzojë ankesa, si për procesin zgjedhor, po ashtu edhe për rezultatet. Ankesat do të dorëzohen për ato njësi zgjedhore për të cilat koalicioni vlerëson se janë bërë shkelje, tregoi ai.

“Nëse KSHZ-ja është objektive dhe konform rregullave demokratike, jam më se i bindur se do të ndryshojë numri i mandateve sepse shkelja dhe ndryshimi është shumë i madh” përfundoi sekretari gjeneral i Alternativës./TV21