Flamuri shqiptar tashmë po valon zyrtarisht në zyrat e reja të Qendrës kulturore shqiptare në Osijek të Kroacisë. Kjo qendër u hap solemnisht dje më 27 qershor dhe do të jetë çerdhe ku identitetin kombëtar dhe kulturor do ta kultivojnë mijëra shqiptarë që jetojnë në rajonin e Sllavonisë dhe Baranjës. Hapjen e zyrtare të Qendrës e bëri deputetja shqiptare në Parlamentin kroat, Ermine Lekaj Perljaskaj. Ajo do të garojë edhe në zgjedhjet parlamentare kroate të 5 korrikut, si favorite e komunitetit të atjeshëm shqiptarë dhe si meritore për hapjen e kësaj Qendre. “Jam krenare që së bashku arritëm të përmbushim ëndrrën shumëvjeçare të shqiptarëve të Sllavonisë e Baranjês”, deklaroi deputetja Perljaskaj në ceremoninë e hapjes solemne. Në këtë qendër do të jetë e vendosur edhe Konsullata shqiptare në Osijek, si dhe zyrat e shoqatave shqiptare në këtë qytet, raporton Gazeta Lajm. Konsulli shqiptar në Osijek, Basri Haliti, tha se dyert e Qendrës kulturore do të jenë të hapura për të gjithë. “Kjo Qendër do të jetë një urë e re lidhëse mes popullit shqiptar dhe atij kroat”, theksoi Haliti. Në hapjen solemne ishte prezent edhe ambasadori kosovar në Kroaci, si dhe gjeneralë dhe ushtarë shqiptarë që kanë mare pjesë në luftën kroate kundër Serbisë. Komuniteti shqiptar është në mesin e komuniteteve mjaft të respektuara dhe të pranuara zyrtarisht në Kroaci. Ky respekt është rezultat i sakrificës që kanë bërë shqiptarët në luftën për mbrojtjen e Kroacisë nga agresioni i armatës jugosllave dhe serbe në fillim të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.
Kosovë-Shqipëri Forcohen lidhjet mes popullit shqiptar dhe kroat, hapet Qendra kulturore shqiptare në...