Kryetari AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thirrur Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta dhe Kryeministrin Edi Rama që të organizojnë një tryezë të faktorit politik mbarëshqiptar.
“Pse na duhet kjo tryezë? Presidenti Aleksandër Vuçiq i forcuar prej rezultatit zgjedhor, me marrëdhënie shumë të fortë me Kinën, Turqinë, Bashkimin Europian, po kërkon te vizitojë Rusinë. Në fakt ai e priti Lavrovin pak ditë më parë, por dëshiron të bëjë një demonstrim force, apo përkatësie dhe pazari gjeopolitik para takimit të Uashingtonit.
Ne kosovarët? Sot para një ngjarje si kjo, gjendemi të përçarë dhe me inate mes veti në Kosovë”, ka shkruar Pacolli, transmeton Klan Kosova.
“Shkurt: na duhet kjo tryezë panshqiptare: për të treguar fuqi, mençuri, projekte, dhe hequr dorë nga marria e sodit që përçojnë disa. Nëse nuk ndodh kjo tryezë, thjesht po dua t’ ju përkujtoj diçka: si kurrë ndonjëherë në këto 21 vjet nuk kemi qenë kaq të përçarë! Medet që sot kur kemi shtetin tonë, jemi dhe më të dobët para kësaj urgjence historike!”.
“Presidenti Meta dhe Kryeministri Rama do duhet të kenë rol lehtësues dhe moderues. Jo paternalist. Asnjë lider shqiptar s’mund ta thërriste këtë tryezë”.