Shider: Zgjedhjet ligjërisht në fillim të korrikut, partitë të dakordohen për fushatë të shkurtër dhe korrekte

Eurodeputeti austriak Andreas Shider publikoi në Tuter se zgjedhjet në vend ligjërisht duhet të mbahen në fillim të muajit korrik.

“Maqedonia e Veriut e ndërpreu gjendjen e jashtëzakonshme. Kjo do të thotë kthim ndaj legjitimitetit parlamentar dhe qytetarët të vendosin për ardhmërinë. Sipas ligjit, zgjedhjet duhet të mbahen në fillim të korrikut”, ka shënuar Shider në Tuiter.

Më tej ai në një postim tjetër thekson se mbajtja e zgjedhjeve është hap i nevojshëm i ardhshëm.

“Mbajtja e zgjedhjeve (nën standarde të rrepta higjienike) është hap i ardhshëm i rëndësishëm. Data është caktuar në pajtim me ligjin. Të gjitha partitë të dakordohen për fushatë të shkurtër dhe korrekte. Grindjet taktike për datën janë të dëmshme për demokracinë”, theksoi Shider në profilin e tij në Tuiter.