Vjosa Osmani “godet” Hashim Thaçin: Babai im njohu si komandant suprem Ibrahim Rugovën!

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i përgjigjet presidentit Hashim Thaçi pas sulmeve që ky i fundit i ka bërë familjes së saj.

“Sonte, gjarpri paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime”, nis reagimin e saj në Facebook më e votuara e LDK në zgjedhjet e fundit.

LEXO EDHE:
Vjosa Osmani: Liria – koncept universal, nevoja për Lidhjen, për shtetin, urgjencë kombëtare
“Babai im e ka njohur për Komandant suprem Dr.Ibrahim Rugovën. Me gjasë, prandaj, Thaçi po e shpallë familjen time tradhtare, njëjtë siç e shpallte Rugovën me komunikatat e tij të 90-tës e tutje”, shkruan më tej Osmani.

Reagimi i plotë i Vjosa Osmanit:

Sonte, gjarpri paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime.

Babai im e ka njohur për Komandant suprem Dr.Ibrahim Rugovën. Me gjasë, prandaj, Thaçi po e shpallë familjen time tradhtare, njëjtë siç e shpallte Rugovën me komunikatat e tij të 90-tës e tutje. T’i shërbesh vendit tënd duke e njohur Rugovën si prijës, sipas Thaçit qenka sikur t’i shërbesh Serbisë. Shpallja e kundërshtarëve politik si bashkëpunëtorë të Serbisë i ka paraprirë gjithnjë sulmeve fizike e eliminimeve. E njëjta logjikë, si duket, po synohet të instalohet tash për të arsyetuar sulme të paramenduara e parapërgatitura.

Në historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk do të ketë njollë më të zezë se sa zgjedhja e këtij njeriu për President të vendit. Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë sërish lidhje me popullin vetëm në ditën kur kërkon falje të sinqertë e përkulet para qytetarëve për këtë gabim i cili po e çon vendin tonë drejt humnerës.

Por ky vend nuk i është nënshtruar as regjimeve gjenocidale. Nuk do të dorëzohet as para shpifësve në rolin e Presidentit. E deri ateherë, kur ky popull do ja tregojë vendin secilit, me votë, ky njeri mbetet faqja më e zezë e vendit tonë.