Turqi, urdhër për arrestimin e 63 të dyshuarve të FETO-s

Prokurorët turq sot lëshuan urdhër arresti për 63 të dyshuar mbi lidhjet e tyre të dyshuara me organizatën terroriste FETO, grupi që qëndron pas përpjekjes për grusht shtetit të vitit 2016, theksuan burime të sigurisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Autoritetet në provincën qendrore Adana kërkojnë arrestimin e të dyshuarve, përfshirë disa punonjës policie të larguar nga puna në Adana, Mersin dhe Stamboll.

Në operacionet e kryera janë arrestuar 18 të dyshuar deri më tani, ndërsa vazhdon kërkimi për të tjerët.

Të dyshuarit akuzohen se kanë siguruar para dhe furnizime për FETO-n dhe janë përfshirë në rigrupimin e saj, tha burimi, i cili kërkoi të mos emërohej për shkak të kufizimeve për të folur në media.

Policia ka nisur operacionet për arrestimin e të dyshuarve.

Organizata terroriste FETO dhe udhëheqësi i saj me qendër në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan grushtin e shtetit të mposhtur më 15 korrik të vitit 2016 i cili la 251 njerëz të martirizuar dhe afër 2.200 të plagosur.

FETO qëndron pas një fushate të gjatë për rrëzimin e shtetit përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.