Sveçla: Kufiri i Shqipërisë nuk ka qenë i mbyllur gjatë Qeverisë Kurti

Anëtari i Kryesisë në LVV, Xhelal Sveçla, ka thënë se në asnjë moment nuk ka qenë i mbyllur kufiri me Shqipërinë sa ishte Qeveria Kurti, transmeton Klan Kosova.

“Diktatorët, nga Hitleri te Stalini, kanë pasur një parim kryesor në propagandën e tyre: ‘Akuzoji kundërshtarët e tu për atë çka ti vetë bën’”.

“Kështu edhe zëdhënësit e qeverisë Koti të subjekteve humbëse, paskan sulmuar qeverinë Kurti, se kinse kufiri me Shqipërinë paska qenë i mbyllur e ai me Serbinë i hapur. Kush e bën këtë akuzë? Qeveria e cila sapo u përshëndet nga Vuçiqi për veprimin e rrallë në botë, ku hoqën dorë vetë nga reciprociteti, dhe lejuan që Serbia të hyjë në Kosovë me dokumentat “Kosovo i Metohija””.

“Sado që propaganda synon të luajë me emocionet, ky është sulm “i budallëm”. S’e ha kush. Në asnjë moment kufiri i Shqipërisë nuk ka qenë i mbyllur gjatë qeverisë Kurti. Në çdo pikë kufitare me të gjitha vendet kanë qenë të njëjtat kufizime në qarkullim, për shkak të pandemisë, por kurrë jo i mbyllur. Masat janë të publikuara në faqet zyrtare të qeverisë dhe ministrive, e lehtë mund të shohin të gjithë se kurrë kufiri me Serbinë, gjatë qeverisë Kurti nuk ka qenë më i hapur se me ate të Shqipërisë. Përkundrazi”, ka shkruar Sveçla në rrjetin social Facebook.