Pasditen e sotme në mbledhjen e qeverisë, pa prezencën e ministrave në detyrë të LDK-së, u vendos që nga nesër të hapen çerdhet, qendrat tregtare, kafiteritë, sektori i gastronomisë dhe kufijtë tokësorë.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia tha se nga nesër fillon faza e tretë e lehtësimit të masave, të cilat ishin marrë për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19.
“Prej nesër do të hapen çerdhet e kopshtet publike dhe private për moshat 0-5 vjeç. Do të hapen kufijtë kryesorë tokësorë të Republikës së Kosovës, ndërsa pas një jave do të bëhet vlerësimi për mundësinë e hapjes edhe të kufijve ajrorë. Do të hapet i gjithë sektori i gastronomisë dhe shërbimeve të ngjashme, do të hapen qendrat tregtare. Do të kthehen në punë gjithë zyrtarët publikë në gjitha nivelet institucioneve. Do të hapen të gjitha veprimtaritë e barnatoreve dhe do të fillojnë aktivitetin taksitë. Natyrisht të gjitha këto aktivitete janë të mundshme vetëm me masat mbrojtëse konform rekomandimeve të IKShP-së dhe Ministria e Shëndetësisë”, tha Vitia.
Vitia bëri të ditur se në shkollë do të rikthehen nxënësit e klasave të nënta, si dhe do të organizohet testi i arritshmërisë më 23 qershor dhe ai i maturës, më 4 korrik.
Sipas vendimit të ri të Qeverisë në detyrë, asnjë maune nga Serbia nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në dokumente nuk është emri “Republika e Kosovës”. Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se marrja e këtij vendimi nuk është taktikë politike, por kundërpërgjigje ndaj Serbisë.
“Ne kemi thënë që jemi të interesuar për reciprocitet duke hequr barrierat. Mirëpo nëse Serbia i shton ato ne do të kundërpërgjigjemi. Është zyra ligjore në ministrinë e Ekonomisë e cila ka bërë analizat e kësaj situate. Dhe posa ata e kanë dhënë qëndrimin e tyre se është e nevojshme të merret një masë e tillë kundërvënëse ne e kemi vendosur në mbledhjen e qeverisë. Nuk ka kurrfarë taktikash politike”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila i jep të drejtë presidentit Hashim Thaçi, për të nominuar Avdullah Hotin për kryeministër.
“Më pastaj do të marrim edhe hapat e mëtutjeshëm, të cilët natyrisht nuk përcaktohen nga unë as si kryeministër në detyrë, as si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, por në organet e subjektit kur ata janë vendime të subjektit. Që do të thotë në kryesi e në grup parlamentar, e mbase në një mbledhje të përbashkët të këtyre në ditët në vijim”, ka theksuar kryeministri në detyrë.
I pyetur nga KosovaPress për mungesën e ministrave të LDK-së në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kurti tha se nuk i di arsyet.
“Për besë nuk e di pse nuk kanë ardhur, mendoj që do të ishte dashur të jenë, janë në ministra në detyrë. Ministrat në detyrë, nganjëherë e kanë detyrë mbledhjen. Në ato votimet që i kemi mbajtur në mbledhjet tona me korrespodencë ato nganjëherë kanë votuar, nganjëherë nuk kanë votuar”, ka thënë Kurti.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia në këtë konferencë për media po ashtu ka deklaruar se Kosova ka qenë më e rrezikuara në rajon që nga 13 marsi nga Covid-19. Pasi siç tha ai, sektori i shëndetësisë u gjet në kushte jo të mira për t’u mbrojtur nga koronavirusi.
Ai deklaroi se rreziku, përkundër lehtësimit të masave, nuk ka kaluar dhe se qytetarët duhet të vazhdojnë të mbrohen.
Ndërkohë, janë regjistruar 13 raste të reja me COVID-19 në Kosovë dhe dy të shëruar. /KosovaPress/