Azizi: Fitoren ia dedikoj shokëve të idealit

Shefi i shtabit zgjedhor të VLEN-it, Adnan Azizi, në një status në rrjetet sociale, ka shkruar se fitoren e zgjedhjeve lokale ia dedikon shokëve të tij të idealit që nuk jetojnë më.

Azizi në statusin e tij emocional nuk përmed emrat e shokëve, por nga ajo që mund të kuptohet, ai flet për shokët e luftës çlirimtare të vitit 2001.

“Të dashur miq,

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve lokale përbëjnë një fitore historike për të gjithë shqiptarët.
Këtë fitore historike ia dedikoj shokëve të mi të idealit që nuk jetojnë më, atyre me të cilët, shumë vite më parë, nisëm bashkë rrugëtimin për ta bërë realitet ëndrrën e shqiptarëve për një jetë më të mirë në këtë vend.

Fitorja që shënuam në këto zgjedhje ma rikthen shpresën se, megjithatë, do të mund ta çojmë në vend amanetin e atyre që sakrifikuan gjithçka për kauzën kombëtare.

Si shef i shtabit zgjedhor të VLEN-it, vlerësoj se këto rezultate përbëjnë një goditje të fortë për të gjithë ata që u munduan ta devijojnë rrugëtimin tonë kombëtar”, ka shkruar Azizi.