A e konfirmoi Bujari takimin me Gruevskin?

Shkruan: Fejzi HAJDARI

Isha përgatitur të shkruaja një koment para disa ditësh, qëkur Izet Mexhiti e pyeti publikisht Bujar Osmanin, nëse ky i fundit “ishte takuar me Nikolla Gruevskin në Budapesht të Hungarisë”? Mirëpo, meqë më mungonte reagimi i Bujarit, nuk desha të bëjë komentin, sepse do të dukej i pastrukturuar mirë dhe i njëanshëm, rreth kësaj çështje jashtzakonisht të rëndësishme, sidomos për shqiptarët… Sot, Bujari paska reaguar!! Në fakt, në pyetjen direkte të gazetarit, nëse e ka takuar apo jo Gruevskin, në vend që të përgjigjet me “Po” ose “Jo”, paska zgjedhë t’i shmanget përgjigjes së drejtëpërdrejt, gjë që shton dyshimin e takimeve të tij të mundëshme me ish-kryeministrin e superkorruptuar Nikolla Gruevskin. Sepse, eventualisht po të mos ishte takuar me Gruevskin, Bujari sikurse edhe çdo diplomat apo politikanë tjetër, besoj që me shumë kënaqësi e preras, do t’i përgjigjej kësaj pyetje, pa lënë hapësirë për interpretime të ndryshme.

Përgjigjja e shtruar në mënyrë publike, pavarësisht se jemi në fushatë, ka shumë peshë dhe relevancë të madhe per shqiptarët, nga fakti se nëse eventualisht vërtetohet se Bujari ka realizuar një takim të tillë, atëherë këto veprime janë për tu gjykuar jo vetëm nga opinion shqiptarë i brendshëm, por edhe nga ai ndërkombëtarë sepse bëhet fjalë për një skandal me deminzione nderkombetare.

E dini se pse më bëri shumë përshtypje mënyra e pyetjes publike?
E para, sepse, kur parashtrohet një pyetje publikisht, ajo kërkon përgjigje poashtu publike, dhe, e dyta, akuzat për takime të këtij karakteri, në vete ngërthejnë edhe shumë e shumë dilema dhe pasoja tjera, në mënyrë e formë magnetike.

Pse?

Sepse, nëse kjo dëshmohet dhe del e saktë, pra se Bujari e ka takuar “fshethas” Gurevskin, atëherë mund të thuhet se kjo punë prek dimenzionin e “tradhtisë”, për sa i përket mënyrës së gjykimit të shqiptarëve. Ju e dini se pikërisht në kohën e Gruevskit, kanë ndodhur sa e sa skandale dhe raste të montuara, ku gjithmonë shqiptarët kanë qenë fajtorë kujdestarë rrjedhimisht bile janë vrarë e burgosur, shumica prej tyre pa faj.

Në këtë kontekst duhet t’i përmendim rastet “Monstra”, “Lagjja e Trimave”, “Alfa”, “rrahja e nxënësve shqiptarë përtej Urës Gurit”, “kallja e shtëpive dhe bizneseve shqiptare” në “Gjorçe Petrov” në mënyrë të organizuar nga huliganët maqedonas, pa u penguar nga policia, etj. Të mos flasim për “Enciklopedinë fyese për shqiptarët” të sponzorizuar nga shteti, librat skandaloz për nxënësit shqiptarë ku fallsifikohet e skandalizohet origjina dhe historia e shqiptarëve….

Prandaj, ta takosh Gruevskin, i cili kishte ikur fshehurazi nga Maqedonia e Veriut për në Hungari, shkaku i aktakuzave të shumëta, është njësoj sikur të përpiqesh në Kosovë “ta shpëtosh Radoiçiqin” nga aktet terroriste në Banjska. Nëse dikush këtë që po e them e kualifikon si “krahasim të paqëndrueshëm” dhe jo të argumentuar mirë, unë mund të hapi edhe shumë dilema tjera rreth veprimeve dhe paraqitjeve të Bujarit, por edhe shefit të tij Ali Ahmeti?

Një ndër dilemat ose më mirë thënë pyetjet publike, do të ishte kjo: Kush e ndihmoi Gruevskin për të ikur në Hungari, nëpërmjet Maqedonisë e Shqipërisë? Kjo është shumë e rëndësishme si pyetje, sepse mund të ndërlidhet edhe më Pyetjen e Izet Mexhitit!

Pastaj, pse emri i Bujarit lakohet nga Vetvendosje, por edhe disa qarqe analistësh e politikanësh në Prishtinë e Shkup, lidhur me Raportin 9-Pikësh të OSBE-së, kur zoti Osmani ishte udhëheqës me rotacion i kësaj organizate ndërkombëtare, e që kishte të bëjë me kërkesën për tërheqjen e policisë nga veriu i Kosovës, por edhe tërheqjen e 4 kryetarëve shqiptarë, nga 4 komunat me shumicë serbe në veri. Të gjitha këto kërkesa, pak a shumë, çuditërisht përputheshin me kërkesat e presidentit serb Vuçiq.

Meqë ka edhe shumë skandale tjera, që nuk dua të zgjerohem shumë, i veçova këto dy, sepse janë veprime shumë të rënda e dëmshme për shqiptarët.

Ndaj këtyre sjelljeve të politikanëve shqiptarë, nuk duhet të sillemi sikur asgjë s’ka ndodh, por, përkundrazi, nevojitet ngritje alarmi dhe shqetësim. Pastaj, reagim dhe denoncim publik. Vetëm në këtë mënyrë veprimet e dëmshme mund të luftohen, ndërsa nëse heshtim, atëherë ata do të përsëriten dhe do të marrin formë alarmuese.