Kompania ajrore “Ryanair” njoftoi sot rifillimin e 40% të fluturimeve duke nisur nga muaji korrik dhe vendosjen e masave shëndetësore si mbajtja e maskave dhe matja e temperaturës për udhëtarët dhe personelin e bordit, por pa vendosur distancimin social.
Transportuesi irlandez me kosto të ulët parashikon të kryejë 1 000 fluturime në ditë drejt 90% të destinacioneve që shërbente para krizës shëndetësore.
Ai shpjegoi në një komunikatë se ky plan është i kushtëzuar nga heqja e shtrëngimeve nga qeveritë për fluturimet brenda Europës dhe zbatimi i masave shëndetësore në aeroporte.
Kompania sapo ka njoftuar një seri vendimesh që parashikojnë të garantojnë sigurinë shëndetësore të pasagjerëve dhe stafit të saj.
Ryanair do të kryejë kontrolle të temperaturës në hyrjet e aeroportit, do të kërkojë veshjen e një maskë para dhe gjatë fluturimit dhe do të rekomandojë check-in online, madje favorizimin e bagazheve në kabinë.
Për trasportin ajror, një rifillim i trafikut është jetik, për më tepër gjatë sezonit të verës, pasi mungesa e aktivitetit me muaj po shkrin me shpejtësi të ardhurat e kompanive dhe po kërcënon mbijetesën e tyre.