Përfaqësuesi i posaçem i SHBA-ve për Afganistanin, Zalmay Khalilzad, tha se të burgosurit talebanë në burgjet afgane duhet të lirohen në kohë.
Në llogarinë e tij në twitter, Khalilzad shkroi se një delegacion i përbërë nga talebanët dhe qeveria afgane duhet të zhvillojnë një punë të përbashkët për lirimin sa më shpejt të burgosurve.
Khalilzad tha se që nga nënshkrimi i marrëveshjes mes SHBA-ve dhe talebanëve e deri më sot nuk është liruar asnjë i burgosur, duke vlerësuar se “të burgosurit talebanë duhet të lirohen në kohë”.
Ndër të tjera, Khalilzad tha se talebanët gjithashtu kanë edhe një angazhim që anëtarët e liruar nuk duhet të luftojnë sërish.
Duke theksuar se të gjitha palët nuk duhet të bëjnë deklarata nxitëse, Khalilzad tha se procesi i paqes nuk do të përparojë në mënyrë të shëndetshme nëse talebanët nuk i përmbushin premtimet e tyre.
Khalilzad vuri në dukje se është e rëndësishme që afganët ta zgjidhin së bashku krizën që përjetohet në vend.
Me vendimin e presidentit të Afganistanit, Ashraf Ghani, është planifikuar lirimi i gjithsej 5 mijë të burgosurve, prej të cilëve 1.500 që nga 14 marsi dhe 1.500 të tjerë në çdo dy javë me fillimin e negociatave mes afganëve.