S’ka më radhë të gjata për vaksinim! Disa qytetarë vaksinohen vetëm për të udhëtuar

Nuk ka më si dikur radhë të gjatë të qytetarëve që prisnin për tu vaksinuar. TV21 ishte në Poliklinikën e Çairit. Atje qytetarët me të cilët komunikuam prapa kamerave, por edhe në anketë thanë se po vaksinohen për shkak të kufizime dhe për të udhëtuar në prag të festave.

“Dozën e parë Pfizer, e kam të parën. Kam plan për të udhëtuar. A për këtë arsye po vaksinoheni? Po, edhe për tu mbrojtur normal.”

“U vaksionva me Pfizer, po ndjehem mirë nuk kam ndonjë simptomë, domethënë mirë është. Po edhe të mbrohem edhe për shkak të restriksioneve.”

Në nivel ditor mesatarisht vijnë rreth 100 qytetarë, 60 prej tyre për dozën e parë, informon motra kryesore Vlora Azizi. Ajo thotë se në krahasim me dy muajt paraprak interesimi për dozën e parë është rritur, posaçërisht te të rinjtë.

“Kemi me dozë të parë, në fakt numri më i madh i atyre që vijnë për tu vaksinuar është me dozë të parë, pastaj vjen doza e tretë, ndërsa për dozen e dytë varet nga terminet që ua kemi caktuar ne. Kemi nga të gjitha grupmoshat, por më së shumti vijnë të rinjtë“, tha Vlora Azizi, Poliklinika Çair.

Mjeku Sadat Lumani apelon te qytetarët që edhe nëse janë vaksinuar kundër gripit, të vaksinohen shtesë edhe kundër Covid-19.

“Vaksinimi për virusin sezonal apo gripin klasik ta quajmë, krijon imunitet vetëm për atë, por edhe vaksinat për Covid-19 pa marrë parasysh se cila është, ato janë të bëra ashtu që të mund të prodhojnë imunoglobulinë specifike për Covid, edhe kursesi nuk japin imunitet për virusin sezonal“, theksoi Sedat Lumani, mjek.

Ndonëse interesimi i qytetarëve është zbehur, nga Ministria e Shëndetësisë nuk po ndërmarrin hapa në këtë drejtim. Që nga data 27 nëntor kjo ministri nuk shpall informacione për numrin e qytetarëve të vaksinuar në nivel ditor, ose të përgjithshëm në faqen e saj në Facebook. Ndërsa sipas raportit javor të Instituti të Shëndetit publik deri më 12 dhjetor me dy doza janë vaksinuar 814.840 qytetarë, apo 45%.