Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar për rastin e të burgosurve në Kumanovë. Ai ka thënë se çështja ndaj tyre është në Gjykatë Supreme dhe se ende nuk ka ndonjë kërkesë për transferim të ndonjë personi për të vuajtur dënimin në Kosovë.
“Transferimi i tyre bëhet individualisht dhe jo në grup dhe procedura e transferimit fillon me kërkesën e personit që është në vuajtje të dënimit. Deri tash nuk kemi diçka zyrtarisht që ka ndonjë një gjë e tillë. Pra nëse një shtetas i Kosovës i ka shprehur interes palës dënuese për t’u transferuar në Kosovë, ajo palë e njofton palën zbatuese posa vendimi të ketë marrë formë të prerë. Rasti i Kumanovës aktualisht është në Gjykatën Supreme, pra nuk ka përfunduar ende. Në takime që kemi pasur e kemi ngritur këtë çështje për ta diskutuar, por duhet ta kuptoni që rasti i Kumanovës gjendet në Gjykatën Supreme atje”, ka thënë Kurti në Kuvend.