MSH: Jemi të gatshëm t’i dorëzojmë të gjitha dokumentacionet për spitalin modular në Tetovë

Ministria e Shëndetësisë e ka përshëndetur procedurën e Prokurorisë Themelore Publike, e cila ka nisur hetime për shpërthimin e zjarrit në spitalin modular në Tetovë.

Nga MSH thonë se janë në dispozicion të të gjitha institucioneve, duke ofruar bashkëpunim në lidhje me dokumentet që ata i posedojnë, për ndërtimin e të gjitha spitaleve modulare në vend.

“Raportet teknike të ekspertëve nga testet e kryera të rezistencave mbrojtëse të tokëzimit, ekzaminimi i vazhdimësisë së përcjellësit mbrojtës dhe rezistenca e përhapjes së instalimit për mbrojtje nga shkarkimet atmosferike, certifikatat e provës dhe cilësia e materialeve, për dyshemetë, njoftimet për hidro-testimin dhe testimin e rrjetit të instaluar të furnizimit me ujë, njoftimet për përmbushjen e kërkesave minimale teknike në drejtim të ndërtimit, tavaneve, zdrukthtarisë, ngrohjes dhe ftohjes, instalimeve dhe dyshemeve, deklarata e konformitetit, protokolleve të pranim-dorëzimit të spitaleve modulare, zgjidhjet për transferimin e vlerës në kontejnerët modularë, si dhe vendimet për transferimin e vlerës së pajisjeve të inventarit dhe jo-mjekësore në spitale, të gjitha janë në dispozicion për inspektim”.