Në Spitalin e Dibrës për herë të parë u hospitalizuan mbi 40 pacientë me Kovid

Në Spitalin e përgjithshëm në Dibër, ku mjekohen edhe të sëmurë nga komuna e Qendrës Zhupë, për herë të parë numri i të hospitalizuarve kovid tejkaloi numrin 40.

“Në dy repartet ku mjekohen kovid pacientët, janë të hospitalizuar 41 pacientë, 31 prej tyre janë në mbështetje të oksigjenit. 15 persona mjekohen në ambulancë, ndërsa në institucionet shëndetësore në Shkup kemi gjashtë persona nga zona jonë”, deklaroi për MIA Baki Alili, drejtor i spitalit.

Ai shton se në pesë ditët e fundit të këtij muaji, janë regjistruar 66 raste të reja, 34 janë përfshirë në listën e të shëruarve, ndërsa për fat të keq dy persona e humbën betejën me virusin e rrezikshëm.

Aktualisht 253 persona janë të infektuar në këtë zonë, megjithëse sipas autoriteteve numri real është shumë më i madh, sepse vetëm ata që kanë një formë më të rëndë të sëmundjes vijnë për ekzaminim.

“Unë ju bëj thirrje të gjithëve kur të ndiejnë një simptomë, e cila është e lidhur me virusin, të paraqiten menjëherë te mjeku, t’i respektojnë rreptësisht masat mbrojtëse dhe natyrisht të vaksinohen ata që nuk e kanë bërë këtë,” tha Alili.

Sipas tij, në spitalin modular, i cili funksionon si pikë vaksinimi, imunizimi kundër kovid-19 po shkon pa probleme, ndërsa sot janë aplikuar 150 vaksina nga Sinfarm, Fajzer dhe Astra Zeneka.

Deri më tani, në këtë zonë janë vaksinuar mbi 13.300 njerëz, që është një përqindje e lartë e përfshirjes duke e pasur parasysh numrin e popullsisë rezistente.