Vuçiqi flet për letrën e Bidenit: Ua kam thënë në fytyrë çfarë mendoj për njohje reciproke
Presidenti i Srebisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për letrën që e ka pranuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në të cilën pos që e ka uruar për ditën e shtetësisë së Serbisë, Bideni, ka kërkuar edhe arritje të një marrëveshje me Kosovën, të përqendruar në njohje reciproke.




“Kam marrë urimet nga presidenti Biden, faleminderit për urimet. Sa i përket njohjes reciproke nuk thuhet në asnjë akt të organizatave ndërkombëtare. Ka pasur përpjekje për të imponuar atë term si diçka që duhet ta kishim pranuar si zgjidhje përfundimtare dhe unë i kam thënë në fytyrë se çka mendoj për njohje reciproke”, ka thënë Vuçiq, raporton Tanjug.
Ai ka shtuar se Serbia po e ruan paqen.
“Po reagojmë ndryshe nga që është pritur”, ka deklaruar Vuçiq.
Presidenti serb ka shtuar se nuk mendon që lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, po gënjen kur flet për bashkimin me Shqipërinë.
“Tash është plotësisht e qartë se që nga fillimi ishte ide amerikane. Është e qartë se ata duan poshtërimin e plotë të Serbisë. E tëra çfarë dua të them u kam thënë në fytyrë në Shtëpinë e Bardhë”, ka shtuar Vuçiq.
Ai thotë se është një rregull që për herë të dytë Haradinaj po e kërcënon se do ta rrëzojë.
“Gjithmonë është e mundur, por nëse do të ndodh – do ta shohim. Është fjalë për një njeri të rrezikshëm. Unë jam aq i madh sa të mos marrë pjesë në poshtërimin dhe shkatërrimin e vendit tim”, ka shtuar Vuçiq.
10:09
Bideni i shkruan letër Vuçiqit, i kërkon njohjen e Kosovës
Presidenti i SHBA-së Joe Biden i ka shkruar presidentit të Serbisë Alenxandar Vuçiq një letër ku ndër të tjera i kërkon atij përmirësimin e marrëdhënieve dhe njohjen e Kosovës.
Letra e Bidenit drejtuar Vuçiqit është bërë për nder të Ditës së Shtetësisë së Serbisë.
Presidenti amerikan në letrën e tij i premton Vuçiqit mbështetjen amerikane për integrimin evropian të Serbisë.
“Në emër të popullit Amerikan, ju shpreh urimet e mia të përzemërta juve dhe qytetarëve tuaj të tjerë ndërsa festoni ditën kombëtare të Serbisë më 15 Shkurt. Ndërsa përkujtojmë 140 vjet partneritet midis dy vendeve tona, Shtetet e Bashkuara mbajnë angazhimin e tyre të qëndrueshëm për të promovuar bashkëpunimin ekonomik, stabilitetin rajonal dhe vlerat demokratike. Ne mbetemi të palëkundur në mbështetjen tonë për qëllimin e Serbisë për integrimin evropian dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën të përqendruar në njohjen reciproke. Fuqia e marrëdhënies sonë është e ndërtuar mbi një histori të thellë të lidhjeve njerëz me njerëz, duke luftuar si aleatë në të dy Luftërat Botërore dhe ne çmojmë kontributet e mëdha që serbët i kanë dhënë shoqërisë amerikane në shumë fusha. Ne gjithashtu vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në luftimin e pandemisë COVID-19 ndërsa bashkërisht përballemi me këtë sfidë të paparë globale”, ka shkruar Biden në letrën e tij.
Image