Fatkeqësia dhe qyqaria e ministrave Xhaçka dhe Osmani dhe isoja e Bashës

Denion Ndrenika

Vjen në Tiranë dhe flet për trojet e Shqipërisë si të jenë fqinjë!!!
Ministri i Jashtëm i qeverisë së shtetit të verimaqedonasve shqiptari Bujar Osmani tha midis Tirane se “si fqinjë të afërt jemi drejtpërdrejtë të interesuar për suksesin e dialogut Prishtinë-Beograd të udhëhequr nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili në masë të madhe do të frymëzojë forcë të re, një impuls të ri besimi në rajon dhe do të hapë një hap serioz drejt një Ballkani të sigurtë dhe të qëndrueshëm”.
Domethënë, zoti Osmani e sheh Shqipërinë Verilindore, Kosovën si “fqinj” dhe jo si pjesë të popullit tonë të vetëm e të patjetërsuar nga cilido zuzar dhe edepsëz që sajon ndarje me apo pa dashje! E duhura do të ishte që zoti Osmani dhe shumë të tjerë të flasin qartë dhe prerë për të pranuar se fuqia jonë është kaq apo aq, por interesi i dialogut është për të njejtin popull dhe jo për fqinjët.
Fqinjë janë sllavët gjaksorë dhe jo shqiptarët në të katër anët e të vetmit shtet shqiptar që doli nga Prizreni dhe Vlora në 1878 dhe 1912.
Unë e kuptoj që nga pikëpamja institucionale ai duhet të flasë ashtu sepse fqinj është derisa i shërben shtetit të sajuar të verimaqedonsave, mirëpo mundet që me këshilltarë e këshillime ta ndreqë e ta përshtasë disi fjalën e fjalitë meqënës jemi i njejti popull.
Mirëpo njejtë me qyqari ministresha për të jashtmet Punë të Shqipërisë, Olta Xhaçka përsëriti fjalinë e amullt dhe të pakuptimtë për Marrëveshjen e Ohrit.
Druaj shumë nëse zonja Xhaçka e di në të vërtetë se çka thotë e për çka u bë marrëveshja në 13 gushtin 2001 apo dhe se, cilët ishin ata që e shfrytëzuan veçse për emrin e tyre me delir madhështie pa kurrfarë mirësie për shqiptarët e Shqipërisë Lindore nën pushtimin maqedonas.
“Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ligjit të “Gjuhëve” si gurthemeli i arritjes së barazisë së plotë mes popullit maqedonas dhe atij shqiptar si dy komunitete shtetformues”, – tha zonja Xhaçka.
Çfarë do të thotë “zbatimi praktik”? Punësim? Diploma? Berberë, pastiçerë, byrektarë, këpucëtarë shqiptarë apo stomatologë, mjekë, noterë, avoketër, juristë maqedonas?
A e di ajo punën e ligjit të gjuhëve? A e di ajo përse u nda shteti i verimaqedonasve administrativisht duke ulur përqindjen e shqiptarëve etnikë duke lënë Shkupin, Ohrin, Strugën si dashi pa këmborë? A e di ajo se kurrkush nga shqiptarët nuk fitoi nga Ohri? Fituan? Çfarë?!
Apo, kryekuvendarë, ministra dhe drejtorë të atykëtushëm pa ngjyrë e pa palcë kurrizore përbëjnë ndryshim?
Përse nuk e kantonizojnë dhe të japin barazinë e plotë shqiptarëve dhe cilësdo popullatë në atë shtet çiban në kurriz të Shqipërisë Lindore, ndjenjës anemike greke dhe së drejtës bullgare?
Përse jo si Tiroli i Jugut?
E kësisoj me pyetje nuk jep dot përgjigje, mirëpo Osmani dhe Xhaçka nuk treguan asgjë të re në takimin e tyre koketësh.
Sëpaku, Xhaçka ka flamurin e kombit tonë të vetëm mbrapa, kurse Osmani të maqedonasve pa asnjë lidhje me ne, që është qartë shenjë nëpërkëmbjeje dhe denigrimi të shqiptarëve tanë në atë shtet të kotë.
Padyshim që nuk mbetet pas Lulzim Basha i Partisë Demokratike mëtonjëse e pushtetmarrjes në 25 prill.
Po si mundet për me lujt me kombin kur çmon marrëveshjen e Prespës që zgjidhi çështjen e emrit me grekërit duke përjashtuar shqiptarët?!
“Si marrëveshje e Prespës që i hapi rrugën fqinjët tonë për në NATO, po ashtu edhe në proceset politike për anëtarësim në strukturat evropiane. Po ashtu, edhe për të parë zbatimi ne plotë të masave dhe detyrimeve që burojnë nga marrëveshja e Ohrit. Ky është një vokacion i përhershëm i PD-së, dhe një interes madhor i bashkëpunimit madhor mes dy vendeve, si dhe një detyrim moral e kushtetues i republikës së Shqipërisë për shqiptarët kudo ndodhen”-tha Basha pasi bisedoi shtruar me Osmanin e qeverisë së verimaqedonasve.
I kërkoi vallë dhe çfarë i premtoi që ta barazojë shqiptarin me maqedonasin apo foli si Ilir Meta kryeministër për ta mbtorjut nga ndarja shtetin e sajuar në 2001? Edhe si Sali Berisha president që e njohu pas referendumit për shkëputje nga ish-Jugosllavia ndonëse shqiptarët e bojkotuan në fillimin e viteve 1991-1992?
Fatkeqësi se, njejtë ndodh me ne kudo e na duket sikur çoç jemi pa asnjë fuqi në duar.
Një fjali shtesë, që më duhet ta kujtoj se edhe me Dritan Abazoviçin në Shqipërinë Veriore nën pushtimin malazez, e njejta histori është.