30 janar 2021

Arbër Çeliku

Zgjohem më 7.30 të mëngjesit nga dhimbjet e shpinës, që m’i ka shkaktuar e ulura në tavolinën e punës mbi 10 orë në ditë për mbi 25 vjet radhazi. Vishem shpejt e shpejt që mos t’i zgjoj nga gjumi njerëzit e shtëpisë dhe dal përjashta. Matanë rrugës kah Çuka në katundin tim, shoh të parkuara një mori makinash, që përbënin një karvan prej rreth 1 km. U habita se ajo rrugë nuk shpie askund dhe nuk frekuentohet nga askush, sepse çon vetëm në livadhet e katundit dhe, në këtë mot me shi, është e pakalueshme. Për një çast kujtova mos ketë vdekur dikush, por shpejt u përmenda se në kohë pandemie nuk mund të ketë kaq shumë njerëz. Zgjedhje nuk kishte, dhe liderët politikë s’para vijnë në këtë anë të fshatit. Dëgjoj ca zhurma, hedh vështrimin kah livadhet e Kacës, shoh një mori njerëzish, të cilët kishin formuar një arenë me perimetrin e një stadiumi. Kaq shumë njerëz nuk kisha parë as kur e vizitova për herë të fundit ndeshjen e futbollit midis Maqedonisë dhe Kroacisë para 7 vjetësh. Dëgjova të lehura qensh.

Gjithçka ishte e qartë. I hipa veturës dhe u nisa për te lokali i zakonshëm përballë xhamisë së fshatit, që ta pi kafen e mëngjesit. Karvani i veturave kishte arritur tek rruga kryesore e fshatit, dhe nuk ishin vetëm me targa të Kërçovës, por edhe me targa të Strugës, Gostivarit, Tetovës e Shkupit.
Ulem në lokal, porosis kafen dhe hap telefonin. Portalet njoftonin se një ditë më parë, policia e shtetit kishte gjobitur 750 persona për mosbajtje të maskës, me arsyetimin se ishte vënë në rrezik shëndeti publik.
Desha t’ia fus një të sharë shtetit, por mendja ma tha se nuk ia vlen…