5 ditë ankthi për Thaçin e Veselin, çfarë thonë nga Specialja për aktakuzën ndaj tyre?

Gjykata Speciale ka vetëm edhe 5 ditë në dispozicionin e saj që të konfirmojë ose të hedhë poshtë aktakuzat për krime lufte ndaj presidentit, Hashim Thaçi, e liderit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli.

Me 24 tetor bëhen plotë 6 muaj, prej kur Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar këtë aktakuzë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) aktakuzën në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari, njëherit lideri i PDK-së, Kadri Veseli, dhe persona të tjerë akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat vrasje të paligjshme, zhdukje të detyruar të personave, përndjekje dhe tortura”.

Nga Gjykata Speciale në një përgjigje ekskluzive dhënë gazetës “Bota sot”, kanë shpjeguar se një aktakuzë e konfirmuar do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit para gjykatës.

E, analistët e çështjeve politike janë të mendimit se kjo javë do të jetë e “nxehtë” për vendin, pasi përveç që parashikojnë konfirmimin e aktakuzave për Thaçin e Veselin, janë të mendimit se konfirmimi i tyre do të sjellë edhe destabilitet në vend.

Ndërsa, bëjnë me dije se zbardhja e situatës rreth akuzave të ngritura nga Gjykata Speciale e çliron Kosovën, dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga dyshimet.

Flasin nga Gjykata Speciale, tregojnë pse një aktakuzë e konfirmuar nuk bëhet publike

Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, nga Gjykata Speciale kanë treguar fillimisht pse një aktakuzë e konfirmuar nuk bëhet publike.

Ata kanë shpjeguar se edhe me tej rreth aktakuzave gjithçka mbetet konfidenciale.

“Derisa një aktakuzë të bëhet publike ajo mbetet konfidenciale si dhe procedurat që lidhen me shqyrtimin e saj”, thuhet fillimisht në përgjigjen dërguar gazetës.

Tutje, në sqarimin dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se rregullorja parasheh një numër skenarësh që mund të rezultojnë në një aktakuzë të konfirmuar e që bëhet publike më vonë se gjashtë muaj pas paraqitjes së saj.

“Varësisht nga specifikat e një çështje individuale, gjykatësi i procedurës paraprake ka një maksimum prej 6 muajsh për të vendosur nëse do ta konfirmojë ose të hedhë poshtë aktakuzën. Në të njëjtën kohë, rregullorja parasheh një numër skenarësh që mund të rezultojnë në një aktakuzë të konfirmuar e që bëhet publike më vonë se gjashtë muaj pas paraqitjes së saj. Për shembull, Rregulli 88 parasheh që gjykatësi i procedurës paraprake mund të urdhërojë mospublikimin e përkohshëm të një aktakuze të konfirmuar për arsye sigurie ose për të shmangë ndërprerjet e procedurave. Në çdo rast, një aktakuzë e konfirmuar do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit para gjykatës”, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë gazetës “Bota sot”.

Haziri: Aktakuzat do të konfirmohen, vendi shkon në zgjedhje!

Image

Nexhat Haziri

Foto galeri

Analisti i çështjeve politike në vend, Nexhat Haziri, duke e komentuar situatën, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se vetëm propozim aktakuza lënë të kuptohet se do të ketë konfirmim të saj, e që do të ndodhë ditën e shtunë, dita e fundit e paraparë nga Specialja.

“Nëse bazohemi tek propozim-aktakuza e publikuar nga prokuroria e Gjykatës Speciale në të cilën presidenti Hashim Thaçi akuzohet për 100 vrasje, kjo le për të kuptuar se do të kemi vërtetim të kësaj akuze edhe nga Gjykata Speciale, dhe do të ketë proces gjyqësor ndaj presidentit aktual”, ka thënë fillimisht Haziri.

Haziri është i mendimit se me konfirmimin e aktakuzës për presidentin Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Veseli, vendi do të hyjë në një periudhë të panjohurave të mëdha sa i përket situatës politike.

Madje, ai parashikon se vendi edhe mund të shkojë në zgjedhje të reja, që sipas tij, do të mund të krijonte një destabilitet institucional e politik, i pafavorshëm për Kosovën.

“Kjo natyrisht se do të ketë impaktin e saj në situatën politike në vendin tonë, pasi Hashim Thaçi pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij nga ana e Gjykatës Speciale domosdoshmërish duhet të dorëhiqet dhe me këtë akt, Kosova do të hyjë në një periudhë të panjohurave të mëdha sa i përket situatës politike, edhe ashtu të brishtë kur kemi polarizim të skajshëm të kësaj skene politike, kur raportet në mes pozitës dhe opozitës janë të tendosura, dhe të baraspeshuara sa i përket fuqisë vendimmarrëse në Kuvendin e Kosovës, ku dallimin në mes tyre e bëjnë një apo deri në dy deputetë, çfarë tregon se vendi edhe mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, që do të sillte një destabilitet institucional e politik, e që nuk do të ishte i favorshëm për Kosovën dhe situatën në të cilën gjendemi”, shprehet analisti politik, për gazetën “Bota sot”.

Analisti Haziri paralajmëron se java që po vije jo vetëm që do të jetë e nxehtë, mirëpo, dhe është i mendimit se do të ketë edhe ngritje tjera të aktakuzave.

“Pra, na pret jo vetëm një javë e ashtuquajtur e nxehtë, por një periudhë sfiduese për Kosovën, për faktin se ngritja e aktakuzave jo vetëm ndaj Thaçit, por edhe ndaj figurave të tjera që kanë pasur peshë në skenën politike të Kosovës për këto dy dekada, pra do të jetë edhe një lloj testi për dhe shoqërinë tonë në përgjithësi se sa jemi të pjekur për t’u sjellë në mënyrë të arsyeshme karshi këtij procesi të drejtësisë të domosdoshëm për Kosovën dhe të ardhmen e saj”, tha në fund analisti i çështjeve politike, Nexhat Haziri, për gazetën “Bota sot”.

Duhanaj: Zbardhja e situatës e çliron Kosovën

Image

Leon Duhanaj

Foto galeri

Kurse, ndryshe mendon politologu Leon Duhanaj. Ai për gazetën “Bota sot”, shprehet se ekziston një agjendë shantazhi karshi politikanëve të Kosovës, qoftë përmes Gjykatës Speciale, qoftë edhe përmes hezitimit të dhënies se liberalizimit të vizave.

Duhanaj lidhur me këtë çështje, deklaron se prokurori i cili e publikoi aktakuzën në formën të cilën e bëri, sipas tij, lë më shumë të konkludohet në masa politike, se sa në ato juridike.

“Gjykata Speciale, është projektuar si projekt politik dhe kështu ka filluar edhe veprimtarinë e saj. Nëse Dick Marty e bëri raportin e tij bazuar në akuzat e prokurorisë serbe, edhe prokurori i cili e publikoi aktakuzën në formën të cilën e bëri, lë më shumë të konkludohet në masa politike se sa juridike. Sipas mendimit tim, ka një agjendë shantazhi karshi politikanëve të Kosovës, qoftë përmes Gjykatës Speciale, qoftë edhe përmes hezitimit të dhënies se liberalizimit të vizave. Sidoqoftë kam besim se drejtësia i konvenon Kosovës”, shprehet Duhanaj, për gazetën “Bota sot”.

Politologu në fund thekson se zbardhja e situatës rreth akuzave të ngritura nga Gjykata Speciale e çliron Kosovën, dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nga dyshimet.

“Për ketë jam i bindur se janë koshient edhe të akuzuarit potencial dhe që do t’i përgjigjen çdo akuze në mënyrë që mos të dëmtohet procesi i shtet-ndërtimit. Për trazira, ka potencial të vazhdueshëm dhe të mjaftueshëm. Marrë parasysh edhe faktin se Kosova është arenë e aventurave të huaja, shumë prej të cilave operojnë në dëm të Kosovës. Megjithatë, besoj se shqiptarët nuk bien preh e agjendave antikombëtare dhe anti-shtetërore sepse çdo trazirë do të nënkuptonte minim të shtetësisë së Kosovës dhe gjithë kush e mendon, apo organizon diçka të tillë e bën në dëm dhe kundërshtim të plotë me interesin kombëtarë. Po besoj që së paku është dashur të mësojmë nga trazirat e 2004-ës, të cilave edhe sot po ua shohim sherrin”, tha në fund Duhanaj.