36 raste të reja me koronavirus në Kosovë, shkon në 423 numri i përgjithshëm

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka konfirmuar 36 raste të reja të prekura me koronavirus.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, nëntë (9) raste nga komuna e Ferizajit (sipas vendbanimit: katër (4) raste Ferizaj, katër (4) raste Talinovc dhe një (1) rast Mirash), tetë (8) raste nga komuna e Kamenicës (sipas vendbanimit: katër (4) raste Topanicë, katër (4) raste Hodonovc), pesë (5) raste nga komuna e Prizrenit (sipas vendbanimit: katër (4) raste Prizren dhe një(1) rast Skorobishte), tre (3) raste me vendbanim në Gjakovë, dy (2) raste me vendbanim në Prishtinë, dy (2) raste me vendbanim në Mitrovicë e veriut dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Suharekë, Lipjan, Ramjan-Viti, Banjë-Malishevë, Studenicë-Istog, Lëbushë-Deçan dhe Zveçan”, është thënë në njoftim.

Duke marrë parasysh shifrat e reja Kosova ka 423 raste të konfirmuara me koronavirus; 9 pacientë kanë vdekur, ndërsa 74 janë shëruar.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.​

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve jo më vonë se data 30 prill.