34 vjet pavarësi: Shqiptarët mes përjashtimit, përfshirjes dhe dështimit politik

Shkruan: Florian NESIMI

Maqedonia këtë javë shënoi 34 vjet nga shpallja e pavarësisë. Në tri dekadat e fundit, shqiptarët kaluan nga përjashtimi i vitit 1991 në një përfshirje më të madhe pas vitit 2001, por kurrë nuk u njohën si popull shtetformues i barabartë.

Viti 1991 ishte viti i përjashtimit. Shqiptarët refuzuan të marrin pjesë në referendumin për pavarësi dhe nuk e votuan Kushtetutën. Preambula atëbotë e definonte Maqedoninë si shtet të maqedonasve, ndërsa shqiptarët i reduktonte në “pakicë kombëtare”. Kjo formulë e këtillë ishte një regres sepse në Kushtetutën e vitit 1974 ishte e potencuar se Republika Socialiste e Maqedonisë ishte shtet i kombit maqedonas dhe kombësive shqiptare e turke, dhe se maqedonasit, shqiptarët dhe turqit janë të barabartë.

Pas konfliktit të vitit 2001 dhe Marrëveshjes së Ohrit, Kushtetuta pësoi ndryshime, duke futur shqiptarët në preambulë si “pjesë e popullit shqiptar”. Partitë politike në vitin 2001 e përkahën preambulën e re, edhe pse formulimi mbeti përsëri problematik: ata u vendosën juridikisht në të njëjtin nivel me pakicat.
Viti 2019 shënoi momentin kur partitë politike sërish e dhanë votën e tyre për ndryshimet kushtetuese që pasuan pas Marrëveshjes së Prespës. Por statusi i tyre kushtetues mbeti i pandryshuar.

Pas vitit 2001, partitë shqiptare duhej të angazhohen me të gjitha kapacitetet për të avancuar pozitën tonë kushtetuese. Por ata në vend se të punonin për avancimin e të drejtave, u futën në biznese dhe u zhytën në korrupsion. Në këtë rrugëtim, ato bënë një gabim të madh strategjik: nuk i përfillën intelektualët shqiptarë. Ibrahim Rugova dikur thoshte: “Pushteti i mirëfilltë i përfill intelektualët e vërtetë”. Por ndodhi e kundërta, për dy dekada me radhë, pushteti i luftoi intelektualët e pavarur dhe aspak nuk përfilli mendimin kritik. Në vend se zëri i intelektualëve të dëgjohej, nga viti 2002 e këndej u margjinalizua mendimi intelektual dhe u zëvendësua me funksionarë të bindur të partisë të cilët duke qenë të pa përgatitur profesionalisht, u zhytën në korrupsion.
Pas 34 vitesh pavarësi, është e qartë se fajet nuk duhet kërkuar vetëm te dominimi maqedonas, por edhe te elitat politike shqiptare të cilat i degraduan intelektualët dhe e përjashtuan mendimin kritik. Nëse shqiptarët duan një të ardhme më të drejtë dhe një vend të barabartë në këtë shtet, duhet të dalin nga ky rreth vicioz i elitave të dështimit dhe të rikthejnë në pozita vendimmarëse intelektualët dhe përfaqësimin cilësor.