27 Prilli është vepër terroriste dhe dhunuesit janë terroristë

Dr. Gjyla Çeliku

Të sulmohet Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut është e njejtë si të sulmohet shteti.
Cënimi i sigurisë së shtetit dhe përfaqësuesëve të popullit në Kuvend janë vepra terroriste.
Deklaratat që kjo vepër nuk është vepër terroriste gjithashtu janë deklarata pro terroriste ndaj duhen paditur të gjithë politikanët që e thonë një gjë të tillë.
Ja një shembull nga Kushtetuta e RMV-së për kompetencat e Kuvendit ku vetë mund të vërtetoni që Kuvendi është mbi Qeverinë dhe Presidenitin, pra është vetë shteti.

Neni 68 i Kushtetutës së RMV-së

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë:
– nxjerr dhe ndryshon Kushtetutën;
– nxjerr ligje dhe bën interpretimin autentik të ligjeve;
– i përcakton detyrimet publike;
– nxjerr Buxhetin e Republikës dhe llogarinë përfundimtare të Buxhetit;
– nxjerr planin hapësinor të Republikës;
– ratifikon marrëveshje ndërkombëtare;
vendos për luftë dhe paqe;
– merr vendim për ndryshimin e kufijve të Republikës;
– merr vendim për aderim dhe dalje nga aleanca ose bashkësia me shtetet e tjera;
– shpall referendum;
– vendos për rezervat e Republikës;
– themelon këshilla;
– zgjedh Qeverinë e Republikës së Maqedonisë;
– zgjedh gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë;
– bën zgjedhjen dhe shkarkimin e gjyqtarëve;
– bën zgjedhjen, emërimin dhe shkarkimin edhe të bartësve të tjerë të
funksioneve publike dhe funksioneve të tjera të përcaktuara me Kushtetutë dhe
me ligj;
– ushtron kontroll dhe mbikëqyrje politike mbi Qeverinë dhe mbi bartësit e tjerë
të funksioneve publike të cilët përgjigjen para Kuvendit;
– jep amnisti, dhe
– kryen punë të tjera të përcaktuara me Kushtetutë.
Kuvendi për kryerjen e punëve nga kompetenca e tij nxjerr edhe vendime,
deklarata, rezoluta, rekomandime dhe konkluzione.

Terrorizmi është dhunë e paramenduar ndaj masës paqësore me qëllim ndikimin e opinionit publik për te arritur më pas në goditjen e objektivave me natyrë politike, ushtarake apo ideologjike.
Terrorizmi konsiston në kryerjen e një krimi nga një individ, një grup apo nga një shtet. Terrorizmi përdoret për të ngjallur te njerëzit një ndjenjë frike e cila të traumatizon për të vazhduar misionin dhe me raste aty ndalon dhe është shumë më e madhe se pasojat e vërteta të aktit. Në situata të caktuara kur nuk ka efekt traumatizimi veprohet me vrasje, dhunë dhe shkatërrim. Këto akte kane dy shënjestra, popullsinë ose dikasteret e rëndësishme të një shteti me përfaqësuesit e tyre.

Analizat dhe sqarimet e mia besoj që ju mjaftojnë që edhe ju si popull të jepni mendimin tuaj a është ose nuk është 27 Prilli akt terrorist?!
Për mua është vepër terroriste dhe çdo manovër politike e këtij rasti për ta mbuluar të vërtetën është në dëm të funksionimit të shtetit të së drejtës, qytetarëve, deputetëve dhe në veçanti shqiptarëve sepse edhe këtu shqiptarët e pësuan dhe u dëmtuan.