Mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, fshati u zgjua i rrethuar nga forcat kriminale serbe. Në vendin që aso kohe pak kush ia dinte emrin, u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, në mesin e tyre edhe një grua e moshuar, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.
Fshati Reçak i komunës së Shtimes, i cili gjendet rreth 30 kilometra larg Prishtinës, dy dekada më parë, bëri kthesë të madhe në historinë të Kosovës.
I mbijetuari i kësaj masakre rrëfen për KosovaPress, tmerrin që përjetuan mëngjesin e hershëm të vitit 99. Ramë Shabani, 52 vjeçar tregon se rreth 30 banorë të fshatit, atë ditë ishin strehuar në bodrumin Sadik Osmanit, shtëpia e të cilit edhe sot mban shenjat e plumbave që u shkrepën atë ditë.
“Para 21 vitesh në oborrin e Sadik Osmanit, kemi qenë në bodrumin e Sadikut këtu, ka qenë një ahër i lopëve, burrat kanë qenë anej, unë me bacën Sadik, me gratë dhe fëmijët kemi qenë në bodrum. Ne jemi tubuar gjysma e fshatit në këtë oborr, se mali ka qenë afër për me ik, gjithmonë kur ka pasur granatime, në bodrum e kemi pas më afër në mal me dal. Një herë na kanë granatuar, e kanë granatuar shtëpinë. Tani kanë ardh na kanë qit këtu jashtë, na kanë rrah, çfarë kemi pasur letërnjoftime, të holla, çfarë kemi pasur. Këtu na kanë qit edhe na kanë bërë rend, edhe na kanë thënë ecni përpjet malit….Me duart prapa edhe kemi ecur përpjet”, rrëfen ai.
Nga aty Rama me mbi 30 banorë tjerë të fshatit, me duar të vendosura prapa, ishin nisur drejt malit.
Rrugës kriminelët serbë kishin rrahur e malltretuar ata. Ndërsa, ai i ka të freskëta ende pamjet e tmerrshme që kishte parë atë mëngjes.
“Prej këtu ishin kon tu na prit serbët, na kanë sharë, edhe dy i kanë vrarë menjëherë. Unë kom ik poshtë, i kanë vrarë edhe disa, tu u kthy, tu i vra. Më lartë grupi më i madh…në këtë rrugë ka qenë Ragip Bajrami, ka ra më herët se na në prit, ja kanë hjek zemrën”, shton ai.
Në malin e “Bebushit”, po qëndronin policë tjerë serbë, të cilët nuk hezituan të kryejnë vepra makabre ndaj popullatës civile të paarmatosur.
“Grupi i madh këtu është, këtu mbi 20 persona këtu janë, e prej aty e poshtë ka pasur të vrarë. Unë kur kam ardhur në mbrëmje, jam fsheh qitu, jam ardh në mbrëmje krejt i kom vizitu…Në gjendje të rëndë jam sot e asaj dite, sot nuk mundem sot me punu shumë, i kom krejt eshtrat e thyer, më kanë rrah, as nuk kom pas mjekim as asgjë…Krejt në mbrëmje i kam parë, prej atje e deri këtu, edhe Ragipi dikun këtu ka qenë, kom dasht me u kthy me hy në fshat se e kom pas nënën edhe 30 vajza të tjera, por erdhën OSBE, mendova që erdhën serbët prapë, kom flejt lartë atje deri në mëngjes”, rrëfen ai.
Ai në mbrëmje kishte parë vëllain dhe dhjetë familjarë të tjerë të cilët barbarisht e në gjendje të tmerrshme ishin vrarë e masakruar.
Po atë ditë në pjesën tjetër të fshatit, Xhemajl Beqirit i është vrarë nipi 12 vjeçar, Halimi, vëllai dhe katër familjarë të tjerë.
“Prej kësaj pjese kemi qenë afër 50 persona, edhe tu gjujt ata prej Rogës nuk i ka 50 metra edhe e kanë vrarë gruan e kusherinit, e kanë plaguar gruan me vajzën, edhe unë kom ra poshtë, nuk kom pasur mundësi me ju ndihmu. Edhe Halimin e kanë vrarë më poshtë, djalin e vëllaut…Kur jom ra poshtë se nuk kom mujt me qu kokën prej plumbave, nuk u dijke prej ku po gjuajnë. Ata ishin kon tu gjujt prej Bebushës, në gjitha anët”, deklaron ai.
Xhemajli kishte vazhduar poshtë fshatit, ku së bashku me dhjetëra banorë, kishin arritur t’i shpëtonin plumbave të policëve serbë.
Tre muaj para masakrës së Reçakut në Kosovë ishte vendosur Misioni Verifikues i OSBE-së. Detyra e monitoruesve ndërkombëtarë ishte që të siguroheshin që po ndaleshin luftimet mes forcave serbe dhe UÇK-së.
Shefi i misionit ishte Ëilliam Ëalker, një ish diplomat amerikan, shkoi në Reçak një ditë pas masakrës, ku nga ajo çfarë kishte parë, ai kishte thënë se kjo është një krim i rëndë kundër njerëzimit.
Masakra e Reçakut ishte pjesë e aktakuzës së Tribunalit Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, kundër ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq dhe disa zyrtarëve tjerë serbë. Procesi ka mbetur në gjysmë pas vdekjes së tij dhe askush nga të akuzuarit nuk u dënua për krimet e kryera në Reçak.
Për të gjitha këto Xhemajl Beqiri nga Reçaku në vitin 2002, kishte dëshmuar para Tribunalit të Hagës, për mëngjesin e 15 janarit, kur policia është futur në atë fshat dhe së bashku me 12 familje të tjera të lagjes ishin nisur në drejtim të malit për të gjetur strehim. Ai aty kishte përmendur emrat e disa prej serbëve që kishte identifikuar në aksionin e ditës kritike.
“Në 2002 kam dhënë dëshmi në Hagë, atje kam folur edhe për këta policë që i kam njohur, që kanë qenë policë në Shtime, ata kanë qenë në masakër, ata kanë qenë edhe udhëheqës të kësaj masakre të Reçakut. Ata e dinë edhe udhëheqësit e Serbisë, krejt kë e kanë pasur aty…Ka qenë Bozha aty që e kam identifikuar ka qenë i Shtërpcës, një Sfetka, ata i kanë mbiemrat, i kamë dhënë në Hagë këto”, tha ai.
Pas kësaj dëshmie, Beqiri thotë se askush nuk e ka pyetur më, e as që është ndërmarrë diçka.
Pasi William Walker u largua nga fshati, banorët i mblodhën trupat e pajetë dhe i vendosën në xhami, ku pritej të bëhej varrimi. Ishte i pamundur për gati tri ditë dhe gjatë kësaj kohe rifilluan luftimet mes forcave serbe dhe UÇK-së. Gjatë gjithë kohës forcat serbe, mohonin se kishin vrarë civilë dhe thonin se të vrarët ishin pjesëtarë të UÇK-së, të cilët ishin vrarë në luftime.
Ashtu siç po mohojnë edhe pas dy dekadave…Ditë më parë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e kishte quajtur trillim këtë masakër, ku u vranë e u masakruan mbi 40 persona.
Ramë Shabani, i cili i mbijetoi këtij gjenocidi, në gjep ende mban disa fotografi, ku shihet Banush Ademi, plaku 99 vjeçar, të cilit iu kishte hequr koka, e po ashtu trupat e masakruar të cilët u vendosën në xhami pas disa ditësh.
“Ai si president që e din që është bërë masakra, e ka dit krejt bota, si mund të thotë që nuk është kjo masakër, shihet njeri pa kokë, shihen njerëzit, pleqë të ri…mu po më vjen shumë rëndë kjo, nuk e di se OSBE dhe Wolkeri fillimisht e ka parë Banushin, edhe ka thënë masakër. OSBE ka qenë si për neve si për ata…edhe sot me thanë që nuk ka qenë masakër”…
Për këtë Bardhyl Mahmuti nga qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, thotë për KosovaPress, se çështja e gjenocidit është e lidhur me mohimin e tij. Ata që e bëjnë atë ndaj një kombi të caktuar, sipas tij, e kanë strategjinë edhe për ta fshehur atë.
“Serbia për 20 vjet nuk ka bërë asnjë hap drejt demokratizimit të vendit, të gjitha strukturat e mëparshme që kanë qenë të ngritura dhe të përgatitura profesionalisht nga regjimi i Millosheviqit sot janë në pushtet…Të gjithë njerëzit e implikuar në krime kanë qenë të avancuan”, thotë ai.
Sipas tij, propagandë bëhet edhe me terminologjitë e përdorura.
“Duke e përdorur termin krimet e luftës, në mënyrë të pavetëdijshme e ulim krimin e gjenocidit në shkallën e tretë. Nocioni adekuat që duhet të përdoret në këto raste janë krimet gjatë luftës. Është edhe një nocion tjetër që përdoret, çështja e krimit kundër njerëzimit. Është shumë e rëndësishme se në atë kohë kur ndodhi krimi i gjenocidit në Reçak, Ëilliam Ëolker e kualifikoi si krim kundër njerëzimit. Kontesti i 15, 16, 17 janarit të vitit 1999 ka qenë i tillë ku ende nuk ishte provuar gjenocidi. Për këtë arsyje krimi kundër njerëzimit ka qenë kategoria penale më adekuate sipas tyre. Ka ardhur momenti kur është zbatuar edhe spastrimi etnik që është një kategori e gjenocidit. Praktikisht është dëshmuar që Serbia e ka pasur një plan operativ-ushtarak që të shkatërrojë shqiptarin si të tillë”, shton ai për KosovaPress.
Hasan Metushi që dy dekada po mundohet të gjejë ngushëllim pranë varrit të nënës së tij, i cili është i zbrazët. Shumë pranë shtëpisë së tij, ndodhet ky kompleks memorial, ku prehën mbi 40 trupa të masakruar nga forcat ushtarake dhe policore serbe.
“Më 15 janar 1999 në fshatin Reçak ka ndodhur një masakër e tmerrshme. Prej 43 civilëve që u masakruan. Në mesin e tyre ka qenë babai, dy axhallarët edhe nëna. Krejt ata i kemi varrosur, vetëm nënën prej 15 janarit 1999 nuk dihet për fatin e saj. Kemi lyp i kemi dhënë krejt intervistat, e kemi bërë AND-në, por tash e 21 vjet po bëhen që nuk dihet për fatin e saj. Presim, e presim që ndoshta edhe ajo një ditë do të gjendet dikun, e ta varrosim në mesin e këtyre, 43 martirëve”…
Metushi shpreh zhgënjimin ndaj institucioneve të vendit, sipas të cilit shumë pak është punuar gjatë këtyre viteve për zbardhjen e fatit të tyre.
Deklarata e Vuçiqit, thotë se ua ka hapur edhe një herë plagët banorëve të këtij fshati, e për këtë kërkon nga institucionet e Kosovës që të mos ketë dialog pa njohjen e krimeve.
“Pa u dënuar këto krime që i ka bërë Serbia, nuk ka nevojë hiç me bo bisedime, duhet me u denu dikush që i ka kry këto krime. Nuk jemi shku ne në Serbi me bo krime, Serbia ka ardhur këtu. Na kanë nxjerr prej shtëpive, na ka masakru në mënyrën më barbare. Ne kërkojmë drejtësi, për ata që janë të zhdukur, që të gjinden”, thotë ai.
Të gjithë këto krime që janë bërë në Kosovë, po dokumentohen edhe përmes librave e fakteve të ndryshme. Profesori Jusuf Osmani pas luftës kishte shkuar në secilën fshat të Kosovës, për të mbledhur dëshmi për masakrat që u bën.
“Sipas evidencës që kam unë në mënyrë më makabre ndaj popullatës dhe personave civil, janë 43 vendas. Dhe mënyrën se si janë vrarë, se si janë masakruar, nuk mund të përshkruhet me fjalë, sepse nuk mund ta bëjë njeriu normal. E mohojnë sepse ne nuk po punojmë në këtë drejtim, duhet me vepra që t’iu dëshmojmë botës se çfarë krime janë bërë…ata i sajojnë duke shkruar të pavërteta, duke shkruar se ajo çfarë nuk ka ndodhur, duke i paraqitur shqiptarët kriminela edhe gjatë historisë edhe tani, ndërsa popullatën vendore serbe si viktima. Ajo përdorë lloj lloj mjeti, në diplomaci, në forma të ndryshme lobojnë me paraqit të pavërtetën”, deklaron Osmani për KosovaPress.
Trupat e të masakruarve janë varrosur pak metra më larg fshatit tek Kompleksi Memorial, ku valëvitet flamuri kombëtarë. Këtu është ngritur edhe statuja e William Walkerit, njeriu i cili për herë të parë masakrën e Reçakut e cilësoi krim kundër njerëzimit.