100 shtëpi në Kondovë tani 10 ditë në terr, banorët do të bllokojnë EVN-në

Rreth 100 shtëpi në Rrugën 7 të fshatit Kondovë të Shkupit tani 10 ditë me radhë përballen me probleme në furnizimin me rrymë elektrike, shkruan Gazeta Lajm. “Tani dhjetë ditë kemi probleme. Herë vjen rryma, herë ndalet. Katër ditët e fundit nuk kemi fare”, thotë për Gazetën Lajm, Nesurullah Nimani, banor i Kondovës.
Banorët e kësaj lagje, që gjendet afër hekurudhës, thonë se kanë qenë tek pika e EVN-së në Gjorçe Petrov për të kërkuar sqarime, por se kanë hasur në tallje e përbuzje.
“Sot madje nuk na lanë të hyjmë fare brenda”, thonë ata.
Zëdhënêsja e EVN-së, Lençe Karpuzovska, thotë se problemi është tek harxhimi i tepërt nga ana e banorëve.
“Bëhet fjalë për harxhim të pakontrolluar të energjisë elektrike që e ngarkon sistemin dhe shpeshherë digjen siguresat. Jo që nuk ka rrymë pa ndërpre, por pas çdo intervenimi nga ana jonë, sërish harxhohet në mënyrë enorme pa kontrollë dhe sërish bie rrjeti. Zgjidhja është tek rikonstruimi i plotë, por banorët nuk lejojnë ta realizojmë. Kjo u është sqaruar por nuk po hasim në mirëkuptim tek ta se duhet ti jepet fund shfrytëzimit të tepruar ilegal që të mos ketë dështime të reja.
Edhe për ne është veshtire të intervenojmë vazhdimisht. Kuptohet që më së miri të mos ketë probleme për askënd, as për qytetarët, as për kompaninë.
Zgjidhja afatgjate është dislokimi i matësve të rrymës dhe këtë ua kemi sqaruar qytetarëve”, thotë Karpuzovska për Gazetën Lajm.
Kurse revolta e banorëve ka arritur kulmin dhe ata paralajmërojnë bllokim të selisë së EVN-së, por edhe të autostradës Shkup-Tetovë, nëse ky problem nuk tejkalohet.