​Zemaj për grevën e punëtorëve teknik të spitaleve: Janë privatë, do shohim mundësitë për ndihmë

Mirëpo, kjo nuk i ka zmbrapsur Sindikatën e Punëtorëve të Sektorit Privat nga greva, të cilën thonë se do ta pezullojnë vetëm kur të dalin mjetet shtesë.

Lidhur me këtë çështje, sot kanë mbajtur takim ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, u.d. drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi me kryetarin e SPSPK-së, Jusuf Azemi.

Pas takimit, Azemi, tha se më së largu nesër do të merret vendimi për shtesat për punëtorët teknikë.

“Kërkesat tona janë reale dhe ministria dhe drejtori i ShSKUK-së i shohin të arsyeshme. Gjithçka çka ka mbetur është që sot brenda ditës të diskutohet sepse duhet të merret një vendim nga Qeveria e Kosovës që këta punëtorë duhet të subvencionohen. Cila do të jetë ajo shumë që ndoshta shpeshherë ata e kanë menduar se do të jetë një shumë më e madhe sesa që e meritojnë. Tash për momentin ka mbetur që sot, eventualisht nesër, të merret një vendim, këta punëtorë duhet të stimulohen. Duhet të gjenden vijat buxhetore sepse sipas tyre kanë qenë të paplanifikuara dhe nuk e kundërshtojnë në asnjë rast pagesën e kësaj kategorie të punëtorëve, por vetëm duhet të gjenden module se si do të paguhen. Vendimi për ndarje stimulim do të jetë më së largu deri nesër”, tha ai.

Kreu i SPSPK-së tha se greva e punëtorëve teknikë do të vazhdojë deri në momentin kur marrin garancinë se do t’i marrin shtesat.

“Ne grevat do t’i vazhdojmë deri në momentin kur garantohemi se do t’i kemi mjetet tona. Kërkesë imediate e jona ka qenë që duhet të fillohet përnjëherë të bëhet pagesa, sidomos para festës së Vitit të Ri. Po shpresojmë se ajo do të bëhet, por megjithatë kjo do t’i mbetet të ardhmes”, tha Azemi.

Ai ka bërë të ditur se në të gjitha qendrat spitalore janë në grevë, përveç QKUK-së, për çka tha se kanë informacione se kanë pasur presion nga pronari se do t’i largojë nga puna.

Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se sot ose nesër do të diskutojnë në Qeveri nëse ka kapacitete buxhetore që t’iu ndihmohet këtyre punëtorëve, derisa ka potencuar se të njëjtit janë ndihmuar përmes ligjit për rimëkëmbje ekonomike.

“Treguam edhe mundësitë të cilat i ka ShSKUK, duhet t’i adresohem Qeverisë së Kosovës. Ligji për rimëkëmbje ekonomike ju ka dhënë imput kompanive private dhe do të shohim cila është mënyra tash e shpërndarjes së atyre të mirave, eventualisht gjatë ditës së sotme ose nesër duhet t’i sqarojmë edhe pozicionin tonë me Qeverinë e Kosovës, nëse eventualisht ka kapacitete buxhetore që t’iu jepet ndonjë ndihmë e caktuar. […] Po nuk mund, sepse nuk është në kompetencën tonë, Ligji për rimëkëmbjen ekonomike ju ka ndihmuar këtyre kompanive, ata kanë marrë diku ka 290 euro për kokë të punëtorit, ndërsa edhe gjatë muajve të pandemisë janë paguar në mënyrë të rregullt këto kompani dhe ata punëtorë i kanë marr pagat e rregullta. Këta janë punëtorë privatë dhe duhet ta kuptojmë qartë punojnë në klinikat tona, është shumë e arsyeshme që eventualisht nëse ka mundësi buxhetore që t’iu ndihmohet sado pak”, tha ai. /Kp/