​OBSH: Të dyfishohen përpjekjet kundër koronavirusit

Një ditë pasi OBSH-ja e shpalli pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19, sot OBSH tha se përshkrimi i sëmundjes si pandemi, nuk do të thotë që shtetet duhet të heqin dorë.

Drejtori gjeneral i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se shtetet “duhet të gjejnë balancën midis mbrojtjes së shëndetit, parandalimit të përçarjeve ekonomike dhe sociale, dhe respektimit të të drejtave të njeriut”.

Numri i personave të infektuar me koronavirus në të gjithë botën është mbi 131479, ndërsa mbi 4925 pacientë kanë vdekur.

Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në qytetin Vuhan të Kinës në muajin dhjetor.

Që atëherë, dhjetëra vende të botës kanë raportuar raste.

Numrin më të madh të tyre, jashtë Kinës, e ka Italia.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, aktualisht janë vetëm Kosova dhe Mali i Zi që nuk kanë raste të regjistruara me koronavirus .