Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen e qeverisë ka njoftuar kabinetin e tij lidhur me zhvillimet e procesit të dialogut me Serbinë, i cili tha po ashtu se të premten në Kuvend në ora 12:00 do të raportojë për këtë proces.
Kryeministri Hoti ka theksuar se kjo qeveri ka objektiva të qarta për të përmbyllur dialogun me Serbinë me njohje reciproke, por jo më me dialog teknik.
“Unë kam bërë kërkesë për raportim në Kuvend të premten në ora 12:00 për procesin e dialogut. Dje i kam informuar kryetarët e partive politike. Zhvillimet që kanë ndodhur deri më tash mbi bazën e platformës që ne e kemi dakorduar në mes koalicionit qeverisës, që pastaj është diskutuar edhe në Kuvend duke filluar nga Samiti i Parisit më 10 korrik dhe të dy palët jemi ulur dhe kemi prezantuar qëndrimet tona. Në atë samit unë kam prezantuar në detaje platformën tonë për dialogun me Serbinë që përfshinë tri parimet kryesore që i kemi dakorduar qysh në fillim. Dhe për objektivat që i kemi ne në këtë proces dhe mënyra e organizmit të procesit të dialogut. Ne hymë në këtë proces me objektiva të qarta për të përmbyllur këtë proces, e jo për dialog teknik”, ka thënë Hoti.
Ndryshe, të gjithë liderët politikë në vend kanë dalë kundër idesë për dialog teknik duke filluar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.