​Dëshmitari tregon momentet e tmerrit: Shpërthim i fuqishëm, dërguam të plagosurit në Urgjencë

Krejt këtë ngjarje e ka parë Xhemajl Idrizi, qytetar nga Vitia, i cili në kohën kur ka ndodhur shpërthimi ka qenë pranë lokaleve.

“Ishim në një restorant duke pirë kafe dhe po dilnim në drejtim të makinës diku 15 metra afër ngjarjes kemi dëgjuar një shpërthim shumë të fortë dhe menjëherë xhamat e shitoreve u thyen. Ne kemi parë në një shitore dy vajza të reja dhe një grua, ishin shumë të shqetësuara e të trishtuara, unë isha me mbesat e mija dhe ofruam ndihmën edhe psikologjike edhe nga mundësia t’i evakuojmë sepse unë mendoja mund të ketë shpërthim të dytë e ajo është më rrezik, i larguam nga shitorja, njëra ka qenë e lënduar në kokë ka pasur edhe gjakderdhje, atë mbesa dhe nipi e kanë dërguar në Urgjencë në Ferizaj, kurse vajzën e dytë 10 minuta jemi munduar ta qetësojmë”, tha ai.

Idrizi i cili jeton në Gjermani dhe ka ardhur për pushime në Kosovë, tregon se te gjithë njerëzit që kanë qenë në lokalet përreth kanë dalë jashtë ndërtesave.

“Kanë dale gjithkah njerëzit sepse ka qenë shpërthim i fortë dhe menjëherë ka reaguar policia”, tregon ai.

Nga kjo ngjarje e rëndë që ka ndodhur sot në Ferizaj, lokali në të cilin ndodhi shpërthimi ka pësuar dëme të mëdha materiale, e edhe lokalet e tjera përreth janë dëmtuar.