Ndihmë e madhe nga Zvicra për Shqipërinë

Tërmeti me pasoja katastrofale që goditi Shqipërinë para një jave mobilizoi të gjithë shqiptarët kudo që janë në botë.
Një mobilizim i shqiptarëve dhe jo vetëm ështe bërë edhe në qytetin e Zvicrës, St. Galen dhe në Lichtenstein, shkruan gazeta Lajm.
Albulen Jahiji (nga Seveleni i St. Gallen me origjinë nga Kumanova), Fitim Beluli (Balzers, Lichtenstein me origjinë nga Dobërqani i Gjilanit) dhe Fuada Latifi nga Triesen, Lichtenstein, me origjinë nga Prizreni) janë bërë bashkë për të mbledhur ndihma për të prekurit nga tërmeti.


“Kjo punë është nisur në mënyrë spontane por doli shumë e madhe. Në këtë iniciativë tonën na janë bashkuar shumë shqiptarë, gjermanë dhe të tjerë. Kemi mbledhur 1820 thasë me rroba, këpucë, 120 kuti me jargana, karroca për fëmijë, shampon, medikamente, 40 kuti me ushqime, 10 dyshekë e të tjerë. Mbi 30 njerëz na kanë ndihmuar për ta ngarkuar kamionin me 14.6 tonë. Kanë qenë një organizim shumë i mirë që ka zgjatur pesë ditë. Duhet ta falënderojmë firmën e fitnesit Faktory Loft nga Triessen që na ndihmoi tejmase”, deklaroi Albulen Jahiji nga Zvicra për gazetën Lajm.
“Kamioni është nisur për në Prishtinë për te grupi i tifozëve ‘Plisat’. Ne e kemi kontaktuar avokatin e Trim Ademit nga Kapital T, Asdren Bytyqi. Dhe, ata pastaj do t’i dërgojnë në Shqiqëri”, tregon Jahiji, duke shtuar:
“Pas dy javësh edhe ne do të shkojmë në Shqipëri, sepse kemi për të dërguar të holla. I kemi mbledhur diku afro 5.000-6.000 euro dhe do t’ua dërgojmë njerëzve që kanë nevojë në Shqipëri”, tha Albulen Jahiji, i cili njihet si një njeri bamirës.
Të gëzuar që aksioni përfundoi me sukses, ata janë fotografuar me flamurin shqiptarë, duke bërë shqiponjën dy krenare. /Gazeta Lajm/