Shefja e OBSH-së, Tavilla: Vaksinat janë rrugës, autoritetet të përgatisin terrenin

Për vonesën e vaksinave, shefja e OBSH-së në Maqedoni Xhihan Tavilla fajëson institucionet vendore. Gishtin e drejtoi nga autoritetet shëndetësore që së pari duhet të krijohen kushtet.

Vaksina është duke ardhur, janë shumë parapërgatitje që duhet të bëhen – tha Xhihan Tavilla, Përfaqësuese e OBSH-së në Shkup.

Vaksina anti kovid mund të arrij tek ne në muajin shkurt. Meqenëse dështuan premtimet e 4 shteteve të BE-së për të na dhuruar disa doza nga kontingjentet e janarit, vendi shpresat i ka në OBSH.

Kemi të bëjmë me një metodologji të njohur shkencore dhe metodologji të sigurt efikase dhe vaksina së pari do tu jepet grupeve me prioritet siç është bërë në të gjitha vendet e Botës. Ne kemi informacione që Vaksina përmes ‘Covax’ do të vij shumë shpejtë. Ministria e Shëndetësisë po punon me këtë sistem dhe në bashkëpunim me UNICEF-in për të qenë të sigurte se vaksina do të vijë në kohën e duhur – deklaroi Xhihan Tavilla, përfaqësuese e OBSH-së në Shkup.

OBSH sot nuk solli vaksinat, por për mos të ardhur duarthatë dhuroi disa pajisje laboratorike në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për të bërë analiza të strishove për CoVid-19, ndaras nga forenzika.

Ministri Filipçe tha se OBSH-ja mbetet partneri më serioz i vendit në luftën e pandemisë. Ai tha se i gjithë plani operativ është gati dhe gjatë javës pritet të vijnë frigoriferët e posaçëm për vaksinat.

Tani më janë rezervuar për vendin tonë dhe siç na kanë thënë sipas dinamikës së shpërndarjes presim që dozat e para të arrijnë në shkurt. Njëkohësisht, ditëve të fundit morëm informacionin nga sistemi ‘Covax’ që edhe ato vaksina në muajin e ardhshëm. Sipas planit të kompanisë Pfizer dhe me rritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese dhe të kompanive tjera që janë pjesë të ‘Covax’ unë besoj se pas muajit shkurtit do të jetë një proces që do rrjedh gjithkund me një dinamikë të vazhdueshme – u shpreh Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Maqedonia është ndër vendet e vetme në rajon që ende nuk ka marrë vaksinat anti kovid. Por, jemi ndër 10 vendet e para të Botës për incidencë të infektimeve nga koronavirusi për kokë banori. Vendi ynë ka të nënshkruar memorandum me Bullgarinë për të na dhuruar disa doza të tyre. Greqia, Polonia dhe Austria premtuan që do na bëhen udhë përçues të marrjes së qindra mijëra dozave nga furnizimet e Bashkimit Evropian. Asnjëra prej tyre nuk u bë me arsyetimin se nuk kanë marrë sa duhet për vete.