Rryma e Bullgarisë është e shtrenjtë për Maqedoninë/ Palët nuk arritën çmim të pranueshëm, bisedimet vazhdojnë

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nuk arritën marrëveshje për çmimin e rrymës që prodhuesit bullgarë duhet ta eksportojnë në Shkup, kumtoi Radioja Kombëtare Bullgare. Grupi i punës nga Maqedonia e Veriut qëndroi në Sofje, në takim morën pjesë drejtorët e kompanive energjetike të Maqedonisë së Veriut, Vasko Kovaçevski nga EMV, Orhan Murtezani nga MEPSO dhe Viktor Andonov këshilltar i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut. Në takim nuk u arrit marrëveshje për çmimin dhe shpenzimet për transport të energjisë elektrike. Gjatë javës që vjen sërish do të ketë takim të grupeve të punës për tentim të dytë për t’u arritur marrëveshje për furnizim me energji elektrike. Përndryshe, më 5 shtator kryeministrat e të dy vendeve, Donev dhe Kovaçevski u dakorduan të eksportohen rreth 200 megavat energji nga Bullgaria në Maqedoni të Veriut.