Prej kur u dobësua BDI-ja, asnjë shqiptar nuk u vra nga policia! Katër vite jemi rehat

Atulla Ramadani

Po bëhen gati 4 vite prej kur u dobësua BDI. Ra nga 20 në 10 deputetë. Ishte një ndryshim i madh. Katër vite BDI e dobët, katër vite shqiptarët rehat.
Deri atëherë ishte bë praktikë negative që shqiptarët çdo ditë të zgjohen me frikë mos ndoshta sot do të jenë viktima të aksioneve policore. E viktima të policisë zakonisht ishin ish ushtarët e UÇK-së. Nga Sopoti, në Brodec, te Harun Aliu me Shokë, Monstra, e deri te Lagja e Trimave. Edhe shumë raste tjera. Radhiteshin aksionet një pas një. Digjeshin pronat e shqiptarëve në Gjorçe Petrov, pa u kompensuar sot e kësaj dite, ashtu siç nuk janë kompensuar banorët e Shipkovicës për dëmet që ua shkaktuan vërshimet tragjike.
Partia që përfaqësonte shqiptarët ishte e fortë. Herë me 15, herë me 17, herë me 20 deputetë. Por sa më shumë forcohej kjo parti, aq më shumë vriteshin shqiptarët. Arrestoheshin e maltreoheshin. Ndoshta rritej edhe pasuria e njerëzve të kësaj partie, por rritej edhe numri i viktimave. Partia e luftës nuk çante fort kokën. Premtonte dy tre ditë hetime ndërkombëtare, sa të ftohet pak opinioni, dhe këto premtime harroheshin. Ende pa u varrosur ish ushtarët që ishin viktima të aksioneve policore, partia e luftës i akuzonte se janë manipuluar.
Fjalimet patriotike me shpata e me sëpata nuk ndaleshin. Bënin fotografi të bukura, incizime të bukura, që paguheshin me para të dyshimta. Por asnjë fotografi e incizim i bukur, nuk i mbulonte punët e shëmtuara. Dhe një ditë erdhi fundi.
Gjithçka ndryshoi ditën që u dobësuan VMRO dhe BDI. Ndodhi kthesë e madhe. Katër vite pa asnjë ushtar të vrarë të UÇK-së prej policisë. Mrekulli. Fajtorët ende nuk kanë dalur para gjykatave, sepse me 10 deputetë sërish mbetën “vendimtarë” për të penguar procese objektive gjyqësore. Mirëpo me rëndësi që shqiptarët në vitin 2016 e zbuluan recetën për të lokalizuar zullumin. Tani në vitin 2020, do e përdorin atë recetë që ta neutralizojnë tërësisht këtë zullum me tri shkronja.

Loading...