Pollog, dështon menaxhimi i mbeturinave

Ndërmarrja e përbashkët për menaxhim me mbeturinat në Pollog si duket po shkon drejt dështimit. Edhe përkundër themelimit të organeve të ndërmarrjes së përbashkët të nëntë komunave që do menaxhojë deponinë Rusino, ende, asnjëra nga 9 komunat, nuk ka lëshuar fondet e nevojshme për nisjen me punë të kësaj ndërmarrjeje.

“Ndërkohë që uji dhe toka në fushat afër deponisë Rusino vazhdojnë të ndoten, komunat e Pollogut, vazhdojnë të rinë duar kryq. Ende asnjëra nuk kanë ndarë paratë për themelimin e Ndërmarrjes së përbashkët të Pollogut dhe as që ka filluar pjesa tjetër e investimeve që duhej të bëhet në infrastrukturën e kësaj deponie. Arsyetohen me krizën ekonomike nëpër komuna”.

Ne si komunë e Gostivarit ende s`kemi nisur me pagesat. Shpresojmë periudhën e ardhshme se kemi qenë pak më të dobët financiarisht shkaku i sezonit të dimrit, por shpresoj që edhe ne si komunë do nisim t`i bëjmë pagesat për të cilat jemi të obliguar si komunë- deklaroi Arben Taravari. Kryetar i komunës së Gostivarit.

Qëndrim të njëjte ka edhe komuna e Tetovës, e cila thekson se së shpejti do të bëhet pagesa në vlerë prej 5.732 eurove drejt ndërmarrjes së përbashkët, por pa caktuar datë të saktë se kur do realizohet kjo gjë. Vonesat e themelimit të ndërmarrjes së përbashkët për Rusinon, detyrojnë ndërmarrjet publike të Pollogut, mbeturinat t’i dërgojnë në Drislla të Shkupit.

Kostoja e mbeturinave për dërgesë në Drislla na kushton jashtëzakonisht shumë. Dallimi mes Rusinos dhe Drisllës, është diku rreth 60 deti në 70 për qind më e shtrenjtë. Kjo zgjidhje nuk pret edhe shumë, shkaku se përveç kostos së lartë na merr edhe shumë kohë bartja e mbeturinave në Drislla të Shkupit, besoni apo jo vetëm vajtja dhe ardhja në Drislla të Shkupit na merr diku pesë orë- pohoi Xhelal Ceka. Drejtor i NPK Tetova.

Komunat e Pollogut, për dërgesën e mbeturinave në Drislla të Shkupit paguajnë miliona denarë në muaj, madje edhe deri në 40 milion denarë në vit, ndërsa fondet për nisjen me punë të ndërmarrjes ndarë proporcionalisht për komunat nuk janë më shumë se 65 deri në 70 000 denarë.