Nuk është kollaj të jesh polic në këtë shtet

Arbër Çeliku

Policët e kanë fituar simpatinë time, sidomos gjatë periudhës së pandemisë. Ditë e natë ata janë në krye të detyrës, në shërbim të qytetarëve dhe këtij shteti, i cili moti kohë i ka humbur konturat e të qenët shtet dhe me të, edhe ne si qytetarë.
Shpesh njerëzit mendojnë, ose më mirë të them, i paragjykojnë policët, mbase ngaqë në mbamendjen tonë ende rri strukur imazhi i policit armik, por jo, këtë duhet ta heqim koke, policët janë njësoj si gjithë të tjerët, edhe ata kanë ndjenja, ndërgjegje dhe njerëzirllëk.
Nëse ne si qytetarë me profesione të tjera, jemi në hall të madh, ata janë njëqind fish në hall më të madh. Nëse ne, për bukën e gojës, keqpërdoremi një herë, ata keqpërdoren njëqind herë. Ata janë përmbaruesit e drejtpërdrejtë të një eprori dashakeq, ziliqar, partiak, ata detyrohen ta çojnë në vend porosinë e një xhelati të tillë. “Kurrë nuk jam ndier më keq në jetën time”, më tha një ditë në bisedë e sipër një miku im polic, “se sa kur u desh një herë ta ndalojmë një qytetar të ecë në rrugën e fshatit shkaku se i pengonte një funksionari partiak. Ia bllokuam rrugën dhe nuk e lamë njeriun të kalojë andej pari”. E brente ndërgjegjja policin e gjorë, unë bashkëndjeva me të. Dje mbrëma paska pasur miting partiak në Kërçovë, policët shqiptarë paskan marrë urdhër të prerë, që në tesha civile, të jenë pjesë e mitingut, me funksion të dyfishtë, si sigurues të mitingut dhe si numra.
Dhe ne themi, na ka ardhur në majë të hundës nga ky regjim!
Respekt për policinë e shtetit!

Loading...