Në RMV ‘shteti i së drejtës’ është vetëm një përrallë me bisht

Arbër Çeliku

Dy ngjarje të shëmtuara e karakterizuan këtë javë Maqedoninë e Veriut: Ikja e Miallkovit dhe dënimet drakonike për të akuzuarit shqiptarë në rastin ‘Monstra’.

Të dyja ngjarjet janë ekstreme në vetvete dhe e sfidojnë paq sistemin e drejtësisë në vendin tonë. Rasti i parë ka të bëjë me një absurditet par excellence, ngaqë nën regjinë e Miallkovit u përgjuan për një periudhë të gjatë ilegalisht mbi 20.000 persona, duke iu shkelur atyre të drejtat dhe liritë themelore njerëzore (dhe mëkate të tjera të panumërta, siç dhe dihen botërisht), kurse në rastin e dytë po dënohen shqiptarë, me hamendësimin e fabrikimit apo mungesës së fakteve (siç po merret vesh nga përgjimet ilegale që qarkullojnë vazhdimisht nëpër rrjetet sociale).

Kjo dëshmon se E DREJTA dhe DREJTËSIA janë dy nocione diametralisht të kundërta në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Të mëtosh DREJTËSI dhe të shqiptosh PADREJTËSI, kjo ndodh vetëm me sistemin e së drejtës në Maqedoninë e Veriut. Në shqiptimin e vendimeve gjyqësore, një element shtesë përbën edhe etika e gjykatësit, pra bindjet e tij morale, që duhet të jenë gërshetimi midis gjendjes faktike dhe veprimtarisë konstruktive të së drejtës si tërësi. Si askund në botë, në rrethanat tona shoqërore, nuk merren parasysh as e drejta, as gjendja faktike dhe as bindjet morale, por URDHRI POLITIK. Është ai, i cili e formëson dhe e shqipton DREJTËSINË, dua të them: pa e marrë parasysh aspak TË DREJTËN.

Edhe pse u demaskua ashiqare figura e Miallkovit pas rënies së regjimit të Gruevskit, ai vazhdoi edhe për një kohë të luajë rolin e kumbarës në proceset e përgjithshme politike, duke shkaktuar kësisoj një vrimë të tejdukshme në koherencën e rendit juridik në Maqedoninë e Veriut, duke e impenjuar në tërësi këtë rend kaq jetik për demokracinë.

Kur bëhet fjalë për të drejtën juridike, të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie, race a feje, duhet t’u vihen në dispozicion resurset e njëjta, kurse politika duhet ta garantojë këtë, jo ta marrë përsipër rolin e xhelatit përmes gjykatësve me veladonë.

E gjithë kjo bën që sistemi i drejtësisë në RMV të shihet vetëm si një përrallë me bisht…