Lajme MPB ndërpret një kanal të transportit ndërkombëtar të drogës, arrestohen gjashtë persona

MPB ndërpret një kanal të transportit ndërkombëtar të drogës, arrestohen gjashtë persona

Ministria për Punë të Brendshme në Maqedoni informon se gjatë ditës së djeshme (08.12.2021), pjesëtarët e policisë kanë ndërprerë një kanal ndërkombëtar të transportit të drogës nga territori i Republikës së Kosovës në territorin e vendit tonë, duke konfiskuar rreth 200 kilogramë marihuanë vlerë rreth 600 mijë euro.

Me këtë rast janë privuar nga liria gjashtë persona, shtetas të Maqedonisë dhe Kosovës.

Sipas MPB-së, në autostradën “Miqësia”, nga zyrtarë policorë gjatë kontrollit të automjetit “Opel Zafira”, me targa të Shkupit, i drejtuar nga I.P. (51) nga Shkupi, u gjetën dhe konfiskuan valixhe me 55 pako me marihuanë. Njëkohësisht, gjatë kontrollit të automjetit të pasagjerëve “WW Touran”, me targa të Shkupit, i drejtuar nga B.R. (30) nga Shkupi, janë gjetur qese të zeza me gjithsej 116 pako marihuanë.

“Në konsultim me prokurorin publik, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Penale-Shkup, është bërë bastisje në shtëpinë e B.R., me ç’rast janë gjetur dhe konfiskuar një qese me 29 pako marihuanë, një peshore dixhitale dhe 11 fishekë, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e E.A. është gjetur një pistoletë sinjalizuese “Ecol” 9 mm me karikator bosh, si dhe një pistoletë “Crvena Zastava” 9 mm me një karikator me 10 fishekë për të, ndërsa në oborr është gjetur një automjet pasagjerësh “BMW” i sjellë nga Republika e Kosovës pa dokumentacion përkatës, i cili është konfiskuar nga Drejtoria Doganore për verifikim të mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e MPB-së./Telegrafi/