Motra medicinale Mihrije Kadriu Hasani, engjulli i Karadakut nga Gjilani deri në Kumanovë

Malësia e Karadakut, që shtrihet nga Zhegra deri te kufiri me Kumanovën (Maqedonia e Veriut) është e njohur jo vetëm për bukuri natyrore, por edhe për trimëri e heroizma, për shkollim e dije, për humanizëm e bamirësi dhe shumë vlera të tjera, ku nuk shquhen vetëm burrat, por edhe gratë.

Një grua që ia ndjeu e kuptoi më së miri dhimbjet kësaj ane, e rrallë dhe e veçantë në punën e saj, ishte motra Mihrije Kadriu Hasani, e cila për shumë vite qe sinonim i shërimit dhe shpresës për popullatën e kësaj gryke, shkruan Mediafokus.info

Mihrije Kadriu Hasani filloi punën si infermiere në vitet e shtatëdhjeta, atëherë kur as në qytet nuk kishin mjaftueshëm mantelbardhë dhe vazhdoi t`iu shërbejë njerëzve të kësaj ane të Gjilanit me dekada, ditë e natë, sa herë që ishte e nevojshme.

Mihrija është lindur në Dunav, në vitin 1956, ndërsa filloren e kreu në Shurdhan, në kohën kur për shkollimin e femrës nuk flitej në këto fshatra. Si motër e vetëm në familje, ajo pati përkrahjen e vëllezërve, të cilët vendosën ta dërgojnë në shkollim të mesëm.

Fati i saj, më 1972, në Gjilan hapet paralelja e parë e Mjekësisë, meqë nevojat për infermiere ishin të mëdha dhe Mihrija, së bashku me një shoqe nga fshati Stançiq, regjistrohen në këtë shkollë, ku ishin dy ‘lule’ të vetme.

Më 1976, Mihrija e përfundon shkollimin për infermieri, me gjeneratën e parë dhe menjëherë fillon punën në ambulancën e qytetit.

Pas tre muajve, kur hapet ambulanca në fshatin Shurdhan, Mihrija kthehet në vendlindje, ku me punë, përkushtim, ndershmëri dhe edukatë përfiton simpatinë dhe respektin e banorëve të kësaj zone.

Me elanin e një malësoreje tipike dhe me dashurinë e pakufishme për profesionin, me ndjenjën e madhe të humanizmit që e karakterizonte, Mihrija shkoi fshat më fshat, shtëpi më shtëpi, kudo që e kërkonte nevoja dhe kudo që dhimbja shfaqej.

Emri i saj ishte bërë sinonim i shërimit të dhimbjeve në Malësinë e Karadakut.

Me punë e mirësjellje, Mihrija arriti të ndryshojë mentalitetin e fshatarëve në raport me shkollimin e femrave, duke iu treguar atyre se edhe vajzat mund të bëjnë çdo punë si meshkujt.

E veçanta e Mihrijes është se ajo jetoi 24 orë me profesionin e saj. Për të qenë në shërbim të popullatës, pas martesës u vendosën me banim në Shurdhan, ku ambulanca e kishte edhe pjesën për banim.

Ambulanca në Shurdhan, ishte një derë e hapur 24 orë për nevojtarët, qoftë duke iu shërbyer aty, qoftë duke marrë rrugë për terren, në rastet kur pacienti nuk mund të sillej deri në fshat.

Njëzet vjet, Mihrija u shërbeu qytetarëve të Malësisë së Karadakut jo vetëm si infermiere, por edhe si motër e tyre, duke ua shëruar e lehtësuar dhimbjet, që trupi i njeriut i përjeton herë pas here.

Në vitin 2000, pasi Kosova ishte çliruar nga okupimi, Mihrija me familjen e saj shpërngulen në Gjilan dhe ajo kalon me punë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare. Ajo i shërbeu edhe lagjes ku jetoi në qytet, sa herë që e thërrisnin.

Këtu punoi 17 vjet, derisa shëndeti i saj u përkeqësua dhe pas një sëmundje të shkurtër, ndërroi jetë më 26.05.2017.

Mihrija aq shumë ishte përkushtuar ndaj shëndetit të qytetarëve, saqë e kishte harruar fare vetveten.

Banorët thonë se Mihrija e shëronte edhe bjeshkën me fjalë, sepse ajo ishte bjeshka vetë përballë dhimbjeve dhe sëmundjeve, të cilat i ndjente dhe i përjetonte sikur të ishin të saj.

Poetja Mirishahe Limani e ka portretizuar pas vdekjes motrën Mihrije, në mënyrë të mrekullueshme, duke e krahasuar atë me një rreze dielli, që Karadakut do t`i mungojë, sepse nuk ka një të dytë si Dija (siç e quan ajo), që aq shumë i fali dashuri kësaj ane.

‘Dera e shtëpisë tënde, kurrë nuk pati çelës për njerëzit e përvuajtur’, shkruan Limani.

Duke e respektuar nismën e banorëve të kësaj ane, Kuvendi Komunal i Gjilanit ka marrë vendim para disa ditësh, që Ambulanca e Mjekësisë Familjare në Shurdhan, ku ajo punoi 20 vite, të emërtohet “Mihrije Kadriu Hasani”.

Ajo nuk e ka njohur fjalën “JO” në profesionin e saj për 37 vite sa i kaloi si mantelbardhë. Mbi të gjitha, ajo e kishte të bardhë zemrën në punën që bëri nga dita e parë e deri tek ajo e fundit.

Mihrija ishte një mrekulli njerëzore që nuk përshkruhet me fjalë. Ajo ishte engjëlli vetë i veshur në të bardha./mediafokus.info