Midis hallallit dhe haramit në konceptimin modern

 

Arbër Çeliku

Uilin e takova në Wisconsin, SHBA. Një burrë i moshës së mesme, tipik amerikan, mbi 1.90 cm i lartë, rreth 130 kg, i operuar nga kanceri i zorrëve dhe tani barkun e kishte të stërmbushur me zorrë plastike, sepse ndryshe do të kishte vdekur qëmoti.
Arsim universitar nuk kishte bërë, kishte qenë shofer kamioni dhe tani ishte në pension të parakohshëm.
Punonte te kunati, i cili zotëron një firmë për mirëmbajtjen e kopshteve dhe rrugëve. Atë ditë prisnin drunj, në një terren që as në këmbë nuk hyhej. Mua më kaploi tmerri, teksa e shihja nga poshtë gjithë atë burrë, i futur në shportën e hidraulikut, mbi 10 m lartësi, duke shkuar herë në të majtë, e herë në të djathtë, me njërën dorë duke mbajtur degët e trasha të lisave të stërlashtë amerikanë, që mos të bënin ndonjë dëm poshtë dhe në dorën tjetër sharrën e rëndë elektrike, e cila për mbi 10 orë nuk e ndali uturimën e saj të tmerrshme.
Me të rënë të muzgut, ai zbriti poshtë, i buzëqeshur dhe në humor të mirë, mbase i lumtur se atë ditë do të fitonte, së paku, 200 dollarë (ama me djersë, apo siç thuhet me gjuhën e fesë fonë, HALLALL). Tani, tha, do të shkoj në shtëpi dhe do të qaj. Fjalët e tij nuk përkonin aspak me çehren e fytyrës. Pas pune, vazhdoi ai, gjithmonë qaj dhe pastaj fle.
Harrova t’ju tregoj, se një ditë para e kishte varrosur të jatin, kurse të nesërmen do ta çonte vajzën 14-vjeçare në kontroll mjekësor, ngaqë s’kishte shumë që edhe ajo ishte duagnostifikuar me kancer zorrësh.
Atë natë unë nuk vura gjumë ndër sy. Kujtimet më kthyen pas në vendlindjen time, ku të gjithë sharraxhinjtë, ullukxhinjtë, badijavxhinjtë, hazërxhinjtë, dilinxhinjtë, çibritashët, narkodilerët, falsifikatorët, kodoshët dhe profetët e rrejshëm, që 20 vjet i ndërrojnë si çorapet postet ministrore, drejtoritë, sekretariatet dhe gjithçka shtetërore dhe 200 dollarë e kanë jo ditën, por minutin (ama jo me djersë, ose me gjuhën e fesë tonë HARAM). Madje, mbi 2000 administratorë, që 15 vjet nuk e dinë ku e kanë vendin e punës, nuk dinë shkrim-lexim, zhvasin buxhetin publik dhe janë tmerrësisht të pakënaqur.
Për dallim nga këta, Uili ishte i kënaqur, madje tejmase, që kunati i jepte punë. Ai nuk ankohej si këta, por vetëm qante nga rraskapitja pasi ta mbaronte punën dhe binte të flinte gjumë, më së voni, në orën 21.00, sepse për çdo ditë ai zgjohej në 6 të mëngjesit, madje edhe të shtunave dhe të dielave. Për atë pushim kishte vetëm në raste morti dhe sëmundjeje.
Uili vërtet qante, por ai nuk ankohej as nga shteti, as nga shoqëria dhe as nga punëdhënësi, madje ishte tepër i lumtur që një shqiptar i jepte punë në mes të Amerikës, që të paguante qiranë e shtëpisë, të rriste kalamajtë dhe të siguronte bukën e gojës. Uili qante dhe ai derdhte lot vetëm për fatin e tij të hidhur, për asgjë tjetër të lume.
Shprehu dëshirë ta vizitonte vendin tonë: Më kanë thënë se është vend shumë i bukur, me njerëz të mirë dhe ushqime nga më të shijshmet. Madje, nëse bëj para, do të kisha dashur ta vazhdoj jetën atje, më tha në fund.
Njëjtë si të rinjtë tanë, që ëndërrojnë Amerikën pa e njohur, edhe Uili e ëndërronte vendin tonë pa e njohur. I ishte mbushur kupa të shkretit.
Je i mirëseardhur në çdo kohë, ia ktheva unë, ndonëse me gojë të huaj, duke e ditur se si është katandisur vendi im.

Loading...