Kryeministri Hristijan Mickoski duke replikuar me shefin e grupit parlamentar të “Frontin Evropan”, Blerim Bexheti, ka thënë se anëtarë të lartë të partisë së tij, BDI, i kanë dërguar porosi sms, duke i kërkuar që të bëhen pjesë e Qeverisë me gjysmën e pushtetit që ka marrë koalicioni VLEN.
“z.Blerim Bexheti unë mund të ju tregoj porosi sms nga anëtarë të lartë ta partisë tuaj politike si më dërgoni porosi se atë që VLEN-I, partner ynë i koalcionit e ka në qeveri, gjysma është e mjaftueshme për BDI-në vetëm për të hyrë në qeveri Mund të ju tregoj edhe sms porosi të tilla nëse dëshironi”, ka Mickoski.
Deputeti i FE-së, Blerim Bexheti, qeverinë e Mickoskit e quajti qeverinë jolegjitime dhe pyeti kryeministrin për afatin e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, orientimin e shtetit me BE-në apo Rusinë, e deri te ndikimi i kryeministrit në Gjykatën Kushtetuese.
“Ju kryeministër, që morët mandat për formimin e qeverisë, në mënyrë të papërgjegjshme, bashkë me vasalët tuaj, argatët apo hyzmeqarët e shkeljes së legjitimitetit po zhbëni elementet kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, jo vetëm në punësimet në sektorin publik, por edhe në vendimmarrje që përcakton se ai që ka legjitimitet duhet të jetë edhe në vendimmarrje”, u shpreh Blerim Bexheti, deputet i FE-së.
Sapo nisi kryeministri të përgjigjet, Bexheti me gjashtë kolegë tjerë nga Fronti, shpalosën para foltores tre pankarta me shkrime të cilat në fakt janë fushata të opozitares BDI dhe partnerëve të saj të koalicionit, gjegjësisht “Po Evropës, Jo Rusisë”, “Pa përkatësi etnike nuk ka Marrëveshje të Ohrit” dhe “Larg duart nga gjuha shqipe”.