Mexhiti: Ahmeti të deklarohet kush është lider i BDI-së, ai apo Artan Grubi?

Nënkryetari i BDI-së dhe njëri nga udhëheqësit e “Grupit të Zjarrit”, Izet Mexhiti ka kërkuar që lideri i partisë Ali Ahmeti të thotë publikisht nëse ai është kryetar i partisë apo zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi.

Kjo vjen pasi Ahmeti emëroi shefin e diplomacisë, Bujar Osmanin, koordinator të politikave në degën e Çairit, ku kryetar është Mexhiti, dhe pas njoftimit të Grubit se do të vijojnë zgjedhjet e brendshme partiake në degën Çair dhe Saraj.

“Nëse Ahmeti dëshiron të më largojë mua, para se ta emërojnë Osmanin, duhet të më shkarkojnë fillimisht, e më pas të caktojnë një ushtrues detyre të kryetarit të Degës së Çairit. Shkarkimet dhe revanshizmi nuk ishin karakteristika të BDI-së”, deklaroi Mexhiti për gazetën “Sloboden Pecat”. (INA)

“Do të presim që të deklarohet kryetari de jure (Ali Ahmeti), sepse deri tani është deklaruar kryetari de fakto (Artan Grubi). Nëse ia delegon këto kompetenca Artanit, Ahmeti duhet ta thotë publikisht. Nuk e di se si Ahmeti lejon Grubin që partinë ta trajtojë si tezgë. Artani tregon se kush do të jetë koordinatori i politikave të degës së Çairit, kur do të ketë zgjedhje të degës, kur do të mbahet Kongresi. Ai thotë se ai që ka hyrë dje në parti ka lobuar për mua tek Ahmeti dhe unë kam 20 vite në BDI. Ka lobuar që unë të bëhem kryetar dege dhe deputet?! Kjo tashmë është tragjikomike. Me këtë ose Grubi dëshiron të thotë se është de facto kryetar i BDI-së ose është jashtëzakonisht joserioze dhe dëshiron të na bëjë të qeshim, si me videon me futbollin si antistres për ministrat. Është një gjë e çuditshme, por ia vlen të analizohet”, theksoi Mexhiti për “Sloboden Pecat”.