Kosova, si disa vende të tjera të Ballkanit, përballet me probleme serioze me cilësinë e ajrit të ambientit që rezulton me efekte negative shëndetësore në të gjithë popullatën, si sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes dhe vdekshmërinë e parakohshme.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, cilësia e ajrit në Kosovë mbetet shqetësuese, sidomos kur krahasohet me udhëzimet e OBSH-së të vitit 2021, edhe pse, prirjet aktuale tregojnë një përafrim me objektivat e BE-së për cilësinë e ajrit deri në vitin 2030, transmeton Klankosova.tv.
“Politikat kombëtare, përfshirë izolimin e ndërtesave, zgjerimin e sistemeve të ngrohjes, reformat në transport, përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave dhe teknologjitë industriale të pastra, synojnë arritjen e këtij qëllimi”, thuhet në raportin e IKShPK-së.
Sipas të dhënave nga 12 stacioneve automatike të monitorimit të cilësisë së ajrit nga Instituti Hidrometeorologjik, Kosova viteve të fundit po përballet me ndotje të lartë te ajrit me partikulat me madhësi PM10 dhe PM2.5, në qytete si Prishtina, Drenasi, Mitrovica, Hani i Elezit, Obiliqi dhe Gjilani.
“Tejkalime të vlerave maksimale ditore përgjatë viteve në Kosovë ka pasur gjithmonë në shumë stacione monitoruese për ndotësit PM10, PM2.5, NO2 dhe O3. Në periudhat e smogut gjatë sezonës së dimrit tejkalimet e PM10 janë sjellë nga 55 µg/m3 – 112 µg/m3 në vitin 2044, 149.5 µg/m3 në vitin 2023, 198 µg/m3 në vitin 2022, përgjatë muajve janar, dhjetor dhe nëntor. Gjithashtu tejkalime të vlerave maksimale ditore ka pasur gjatë dimrit edhe për PM2.5 vlera këto që janë regjistruar në shumë qytet deri në 165 µg/m3 janar të vitit në vitin 2025, 154 µg/m3 në 2024, 158 µg/m3 në vitin 2023 etj”, thuhet tutje në raport.
Një studim i kryer në Kosovë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbi ekspozimin ndaj PM, dhe pranimet spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare , ku gjetjet e këtij studimi treguan se shkalla e vdekjeve për shkak të ndotjes së ajrit në Prishtinë është 6 persona në 1000 vdekje.
“Prandaj edhe njëherë u dëshmua se pranimet spitalore janë më të larta gjatë dimrit, gjë që lidhet me koncentrimet e larta të materieve grimcore me madhësi PM10 dhe PM2.5. Andaj për të zvogëluar ndikimin negativ në shëndetin e qytetarëve çështja e aerondotjes kërkon një qasje të integruar që lidh politikat e ngrohjes shtëpiake, transportit dhe industrisë me mbikëqyrje të vazhdueshme për ndotësit kryesor”.
Gjithashtu gjatë viteve 2017-2019 nga projekti me Millenium Challenge Cooperation (MCC), është kryer një hulumtim i Vlerësimit të Ndikimit në Shëndet në Kosovë.
Sipas raportit të IKShPK-së, 2/3 e vdekshmërisë totale në Kosovë shfaqet në grup moshën 65 vjeç e lart (71.3%), ndërsa vdekshmëria në grup moshën 0 deri në 5 vjeç paraqet 2.6% të vdekshmërisë totale (3.0% të vdekshmërisë së koduar) në vend.
“Rezultatet në këtë studim tregojnë se vdekshmëria nga të gjitha shkaqet ka një korrelacion pozitiv me përqendrimet e PM2.5 (r = .55). Rezultatet tregojnë se 1 150 raste të vdekjeve në vit (121/100 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet (natyrore).”
Barra totale e vlerësuar e sëmundjeve që i atribuohet ekspozimeve ndaj PM2.5 është 276 vdekje të atribueshme. Shkalla më e lartë e vdekshmërisë nga shkaqe specifike që i atribuohet Ndotjes së Ajrit të Ambientit (NAA), është vlerësuar për Sëmundjet Iskemike të Zemrës (SIZ) dhe goditjen në tru (9.4 dhe 8.8 për 100 000 banorë në rrezik), ndërsa për kancerin e mushkërive dhe SPOK, normat janë më të ulëta (4.1 dhe 2.6) (Tabela 1). /klankosova.tv



