Lufta në Ukrainë ndan opinionin në Maqedoninë e Veriut

Kundrejt qëndrimit të udhëheqësve politikë në Maqedoninë e Veriut që është rreshtuar përkrah forcave euroatlantike, të cilat i kanë dhënë mbështetje sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, në mediat sociale paraqiten grupe të caktuara që vihen në mbrojtje të palës ruse, gjë që ka çuar në polarizimin e shoqërisë.

Në rrjetet sociale janë paraqitur qëndrime që përmbajnë gjuhë të urrejtjes në pretendimet se Ukraina ka mbështetur bombardimin e viseve të banuara me shumicë shqiptare në Maqedoninë e Veriut gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001. Kjo po bëhet përmes informacioneve të përsëritshme, pa i paraqitur të gjitha faktet, rrjedhimisht duke përhapur në formë indirekte propagandë pro-ruse.

Albert Musliu, nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë, thotë për Radion Evropa e Lirë thotë se rrjetet sociale nuk reflektojnë realitetin e shoqërisë maqedonase. Sipas tij, pas rrjeteve sociale fshihen “bot-a”(profile të rrejshme), që financohen nga struktura të caktuara për të krijuar një imazh krejtësisht të kundërt nga ai që realisht është në Maqedoninë e Veriut, e ajo është se të gjithë, me përjashtime fare të vogla, janë rreshtuar përkrah Ukrainës.

“Nuk duhet të na bëjnë përshtypje rezultatet që i shohim në rrjetet sociale, pasi aty ka dhe profesionistë ‘bot-a’ që tentojnë të krijojnë një atmosferë, e cila nuk korrespondon me realitetin e përditshëm në popullatë. Përpos polarizimit, narrativit, në rrjetet sociale nuk besoj se do të kemi tensionim apo ndasi në shoqëri pasi të gjithë faktorët relevantë në vend janë në të njëjtën linjë me qëndrimet e partnerëve tanë euroatlantikë”, thotë Musliu.

Nga ana tjetër, Ilia Xhugumanov, nënkryetar i Këshillit Veri-Atlantik thotë për Radion Evropa e Lirë se “mendimi publik është shumë i polarizuar, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por në të gjitha vendet e rajonit që krijon një peizazh të komplikuar për situatën në Ukrainë.

“Këtu do të theksoja hapësirën informative dhe mediale nga të dyja palët, e cila për fat të keq edhe pse është e polarizuar, ne megjithatë nuk marrim informata të sakta prej të dyja palëve. Megjithatë, kemi informacione të llojllojshme nga të dyja palët. E, ato informacione megjithatë kanë një agjendë të caktuar, do të kisha thënë me apetite të caktuara të biznesit, apo apetite të caktuara politike, kështu që krahas opinionit publik, krahas institucioneve, konsideroj se këtu mjaft e lëndueshme është edhe hapësira informative, përkatësisht hapësira mediatike në vend”, thotë Xhugumanov.

Ndërkohë, Oleksandr Urbanoviq, kryetar i Shoqatës së Ukrainasve në Maqedoninë e Veriut thotë se në këtë situatë, çdo mbështetje për Rusinë sado e vogël të jetë e nga cilido qoftë grupim, paraqet mbështetje për vrasjen e popullit të pafajshëm ukrainas.

“Mbështetja për Rusinë në këtë moment paraqet mbështetje ndaj krimit që po bëhet në Ukrainë. Një gjë tjetër është të mbushesh simpati ndaj një populli dhe diçka krejtësisht tjetër është të mbështesësh aktivitetet e një shteti siç është invazioni rus në Ukrainë. Nuk dua të besoj se ka njerëz të tillë në Maqedoninë e Veriut që mbështesin vrasjen e fëmijëve e civilëve në Ukrainë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Urbanoviq.

Në një intervistë për TV Sitel, ambasadori rus në Maqedoninë e Veriut, Sergei Bazdnikin (më 9 mars ) theksoi se kundërshtarët e Rusisë nuk hezitojnë të publikojnë lajme të rreme për veprimet e trupave ruse duke iu referuar lajmeve edhe mediave në Maqedoninë e Veriut.

“Nuk garantojmë as spitalet e fëmijëve e as çfarëdo objekti civil. Janë shqetësuese lajmet e rreme kundrejt veprimeve të Rusisë”, tha ai.

Rritet besimi i qytetarëve ndaj marrëdhënieve me Kinën dhe Rusinë
Anketa e realizuar së fundi nga Qendra për Hulumtime e Institutit Republikan Ndërkombëtarë (IRI), rezultatet e së cilës janë prezantuar javën që shkoi, ka nxjerrë në pah se është në rritje ndikimi rus dhe ai kinez në Maqedoninë e Veriut.

Megjithëse, anketa është realizuar në nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar (2021) për sa i përket politikës së jashtme, 64 për qind e të anketuarve vlerësojnë se marrëdhëniet e forta me Kinën u shërbejnë interesave të tyre, që paraqet një rritje prej 11 për qind krahasuar me anketën e realizuar në shkurt të vitit 2020.

Njëherësh, 60 për qind e qytetarëve të anketuar janë shprehur se marrëdhëniet e forta me Rusinë do të jenë në interes të tyre, që do të thotë se ka shënuar një rritje prej 6 për qind krahasuar me anketën e realizuar në shkurtin e vitit 2020.

Megjithatë, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë mbështetjen më të madhe te qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Sipas rezultateve, të anketuarit pajtohen se marrëdhëniet e forta me BE-në më së miri u shërbejnë interesave të Maqedonisë së Veriut dhe 76 për qind e qytetarëve e ndajnë këtë mendim për SHBA-në.

Po ashtu, anketa e IRI-t tregon se 75 për qind e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut, e mbështesin iniciativën ‘Ballkani i Hapur’.

Ndryshe, që në ditën e parë të invazionit rus në Ukrainë, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i ndjekin informacionet zyrtare nga institucionet, me qëllim parandalimin e efekteve negative nga lajmet e rreme dhe krijimin e panikut lidhur me situatën e sigurisë dhe atë ekonomike.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut, me nisjen e luftimeve në Ukrainë, u ka bërë thirrje të gjitha mediave që të informojnë me përgjegjësi dhe profesionalizëm maksimal, duke mos kontribuar në përhapjen e spekulimeve dhe të pavërtetave në opinion./REL