Arrestohen pesë persona për sulme dhe dhunë në protestën e Zveçanit

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se deri tani nga protesta në Zveçan janë arrestuar pesë persona si të dyshuar për sulme dhe dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it, të cilët i kanë lënduar dhe plagosur.

Në njoftimin e PK-së thuhet se protestuesit në Zveqan nuk kanë zbatuar urdhrat zyrtar për largim, por kanë rezistuar dhe kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme, koktej molotovi, shok bombë, mjete eksplozive si dhe janë dëgjuar gjuajtje me armë zjarri.

“Si pasojë e dhunës së shfrenuar deri më tani janë lënduar/plagosur disa zyrtarë të KFOR-it, si dhe deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar të cilët kanë përdorur sulme e dhunë ndaj tyre”.

“Po ashtu një veture zyrtare të PK-së i është vënë zjarri si dhe janë dëmtuar edhe vetura tjera. Policia e Kosovës vazhdon në menaxhimin e situatës në koordinim me KFOR-in dhe ka filluar hetimet intensive, lidhur me dhunën dhe sulmet e shkaktuara ndaj mediave, pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë”, thuhet në njoftim./Klankosova.tv