Historiani Nebi Dervishi fitues i çmimit “Ali Vishko” për vitin 2020

Janë me dhjetëra bashkëpunëtorë nga vendi ynë, nga Republika e Kosovës, nga Kosova Lindore dhe nga Republika e Shqipërisë, të cilët kanë dhënë më të mirën e tyre për realizimin e veprimtarive me vlerë të përgjithshme kombëtare dhe universale, që i kemi zhvilluar deri më sot. Është publiku i gjerë që nuk na ka munguar asnjëherë në manifestimet letrare, në konferencat shkencore dhe në tryezat e zhvillimit të debateve që i kemi realizuar bashkërisht

Në 142-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Shoqata për kulturë dhe art “Tradita”, sot, më 10 qershor 2020, përmes platformës online e organizoi Edicionin VII me radhë të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”. Organizatorët theksuan se kjo veprimtari kulturore, si pasojë e pandemisë globale Covid-19, realizohet në rrethana të reja. “Kjo na ka detyruar që ta ndryshojmë tërësisht konceptin e programit të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”. Duke qenë të obliguar t’i respektojmë me përpikëri udhëzimet e organeve shtetërore të shëndetësisë, Edicionin VII të manifestimit të sipërthënë e realizojmë nëpërmjet platformës online, duke i kushtuar kujdes të veçantë mbrojtjes së shëndetit publik”– deklaroi kryetari i kësaj shoqate, Selam Sulejmani.
“Mbase sot edhe mbajtja e maskave është shndërruar në kulturë, ndërsa distanca sociale është bërë detyrim. Sot, secili prej nesh i përdor masat mbrojtëse dhe e respekton distancën sociale, por asnjëri prej nesh nuk pajtohet të distancohet nga kultura. Prandaj sot, nga zyra e Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, pikërisht në 142-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e sendërtojmë këtë manifestim, që vite me radhë e ka kultivuar konceptin kulturor, arsimor dhe shkencor. E theksoj kulturor, për arsye se janë pikërisht ngjarjet kulturore ato që luajnë rol të rëndësishëm në zhvillimin shoqëror dhe në afirmimin e krijimtarisë së gjithanshme në lëmin e gjuhës, të artit, të letërsisë, të shkencës dhe në jetën shpirtërore të një kombi. E përmenda termin arsimor sepse në kuadër të programeve të edicioneve të kaluara “Lidhja na bashkon”, në bashkëpunim të ngushtë me mësuesit, me arsimtarët dhe me profesorët tanë, janë organizuar debate, tryeza dhe konferenca shkencore kushtuar arsimit shqip dhe rolit të institucioneve arsimore në avancimin e proceseve gjithëkombëtare. Njëherazi kemi punuar edhe në fushën e hulumtimeve shkencore që kanë të bëjnë me të kaluarën e kombit tonë, me kontributin e personaliteteve shqiptare dhe të veprimtarëve tanë”- deklaroi Selam Sulejmani.
Në vijim ai shtoi: “Edhe pse kanë kaluar vite, ndërsa rrethanat shoqërore nga viti në vit ndryshojnë, subjekti ynë kulturor, Shoqata “Tradita” i respekton parimet themelore të themelimit të saj në vitin 2012 – në 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe të flamurit kombëtar. Por shoqata jonë, veprimtarinë e vet e zhvillon në mënyrë kreative, duke sjellë risi gjatë çdo edicioni të ri.
Janë me dhjetëra bashkëpunëtorë nga vendi ynë, nga Republika e Kosovës, nga Kosova Lindore dhe nga Republika e Shqipërisë, të cilët kanë dhënë më të mirën e tyre për realizimin e veprimtarive me vlerë të përgjithshme kombëtare dhe universale, që i kemi zhvilluar deri më sot. Është publiku i gjerë që nuk na ka munguar asnjëherë në manifestimet letrare, në konferencat shkencore dhe në tryezat e zhvillimit të debateve që i kemi realizuar bashkërisht. Për arsyet që i theksova që në krye të herës, sot, si asnjëherë më parë, na mungon fizikisht publiku, por besoj se edhe me këtë formë alternative të organizimit, ne u shërbejmë adhuruesve të artit dhe të kulturës, sidomos kur në këtë edicion, të shtatin me radhë, në 80-vjetorin e ndarjes nga jeta e përkujtojmë poetin, shkrimtarin, përkthyesin, publicistin, kryetarin e Komisionit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit – At Gjergj Fishtën. Gjatë veprimtarisë kulturore të shoqatës sonë janë përkujtuar emra të spikatur poetësh, shkrimtarësh, publicistësh, përkthyesish, patriotësh të lëvizjes dhe të qëndresës shqiptare, si: Ismail Kadare, Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Lasgush Poradeci, Murat Isaku, Mehmet Gega, Adem Demaçi, Rafi Halili, Rahim Neziri, Ali Vishko, e shumë të tjerë”- tha mes tjerash në fjalën e tij, kryetari i shoqatës “Tradita” – Selam Sulejmani. Referatin kryesor për në këtë manifestim kulturor e paraqiti Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, ligjërues në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës.
Në fjalën e tij, ai veçoi programin dhe synimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe përpjekjen e Faik Konicës për jetësimin e atyre synimeve në praktikë.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit është hallka më e rëndësishme e Lëvizjes Kombëtare, krahu atdhetar i së cilës kërkoi: bashkimin e krahinave shqiptare në një vilajet të vetëm dhe me një kryeqendër ku do të merreshin vendime të rëndësishme për kombin; sigurimin e financave për nevojat e vendit; hapjen e shkollave shqipe dhe përhapjen e arsimit kombëtar; pavarësinë kulturore, ekonomike dhe juridike nga Perandoria Osmane; krijimin e kushteve për lulëzimin e gjuhës, kulturës dhe artit, nëpërmjet të cilave do të ringjallej vetëdija e shkërmoqur etnike, organizimin e njësiteve mbrojtëse, në rast copëtimesh të reja të Shqipërisë”- tha Prof. Dr. Fatmir Sulejmani.
Ndërsa për përpjekjen e Faik Konicës për jetësimin e synimeve të Lidhjes, profesor Sulejmani u shpreh: “E para gjë që bëri Konica për fitimin e betejave për sendërtimin e kërkesave të Lidhjes së Prizrenit, ishte përzgjedhja e vendit prej ku do të vepronte. Në dallim prej rilindësve të tjerë, që ishin degdisur nëpër kolonitë aziatike e ballkanike, ai u vendos në zëmër të Evropës, aty ku merreshin vendime për fatin e shteteve të vogla dhe ku kufijtë e tyre tërhiqeshin me vizore. Armën që zgjodhi qe revista ALBANIA, kurse lloji i shkrimit eseja. Ai e kuptoi herët se qenë eseistët e rilindjes evropiane ata që hapën dyert e arsyes njerëzore, që propaguan qëndrimin kritik ndaj fenomeneve shoqërore, që nxitën frymën antiklerikale dhe shkundën nga themelet mendësinë mesjetare. Pikërisht këtë u përpoq ta arrijë dhe Konica në një kontekst tjetër kohor, duke e shfrytëzuar revistën dhe shkrimet e tij si mjet me të cilin iu fut gati i vetmuar lëvrimit të shkëmbit, ndriçimit të mendjes së kombit dhe gjetjes së kodit të humbur evropian të shqiptarëve, që, para se të bëhej motoja e jetës së tij, qe motoja e Rilindjes Kombëtare dhe, natyrisht e Lidhjes së Prizrenit. Pjesë e përpjekjeve të tij qe dialogu korrektiv me Evropën – ndreqja e imazhit të shtrembëruar të Shqipërisë dhe shqiptarëve, që nuk mund të bëhej vetëm duke u thirrur në të kaluarën e lavdishme, në qëndresën dhe luftën kundër zgjedhës osmane, po nëpërmjet zhvillimit të gjithanshëm kulturor, që do të zgjonte ndjenjën kombëtare dhe do t’i bënte shqiptarët të denjë për të qenë zot në tokat e tyre”- nënvijëzoi Prof. Dr. Fatmir Sulejmani
Në kuadër të manifestimit të sipërthënë, Shoqata për kulturë dhe art “Tradita” nga Tetova e përkujtoi zërin e kombit At Gjergj Fishtën, me rastin e 80-vjetorit të vajtjes së poetit, në përjetësi. Në kuadër të programit të manifestimit, Profesor Xhelal Zejneli e paraqiti referatin shkencor kushtuar jetës dhe veprës së “Homerit shqiptar”, figurë e ndritur e periudhës së Rilindjes sonë kombëtare.
“Ati françeskan Gjergj Fishta (1871-1940) është poet, dramaturg, prozator, estet, publicist, pedagog, klerik i lartë dhe politikan. Drejtoi për një kohë të gjatë shtypin e urdhrit françeskan dhe veprimtarinë kulturore e arsimore të këtij urdhri. Është një ndër figurat më të mëdha të letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX. Deri në Luftën e Dytë Botërore u ngrit si poet kombëtar i Shqipërisë, ndërsa pas vitit 1944 ra në harresë që zgjati 46 vjet me radhë. Lindi më 23 tetor 1871, në fshatin Fishtë të Zadrimës, ku dhe u pagëzua nga misionari françeskan dhe poeti Leonardo de Martino (1830-1923). Ndoqi shkollat françeskane në Troshan dhe Shkodër. Që fëmijë u ndikua nga De Martino dhe nga misionari boshnjak Lovro Mihaçeviq, i cili i ushqeu dashurinë për letërsinë. Më 1886, kur ishte 15 vjeç, u dërgua nga françeskanët në Bosnjë – në Sutjeskë, Livno dhe Kreshevë ku studioi teologji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos latinishten, italishten dhe kroatishten. Me një fjalë, ai përgatitej për karrierë ekleziastike dhe letrare. Atje ra në kontakt me shkrimtarin boshnjak Gërga Martiq (1822-1905) dhe me poetin kroat Silvije Strahimir Kranjçeviq (1865-1908), të cilët i zgjuan talentin letrar. Fishta u frymëzua edhe nga shkrimet e shkrimtarit të hershëm françeskan Andrija Kaçiq-Mioshiq (1704-1760), poet dhe publicist dalmat i periudhës së iluminizmit, po ashtu edhe nga veprat e poetit kroat Ivan Mazhuraniq (1814-1890), autor i poemës epike “Vdekja e Smail Aga Çengiqit”(Smrt Smail-age Čengića). Fishta njihte edhe krijimet letrare të poetit dhe princit malazez Petar Petroviq Njegosh (1813-1851), autor i poemës epike “Kurora e maleve”(Gorski vijenac, 1847) në të cilën flitet për qëndresën e Malit të Zi kundër turqve dhe që konsiderohet si epos kombëtar i malazezëve” – theksoi Xhelal Zejneli.
Ai më tej shtoi se“Fishta më 1894 u shugurua prift dhe u pranua në urdhrin françeskan. Po atë vit u kthye në Shqipëri dhe filloi punën si mësues në kolegjin françeskan në Troshan e më pas si famullitar në fshatin Gomsiqe. Më 1899 bashkëpunoi me abatin e Mirditës Preng Doçin (1846-1917), me prozatorin dhe priftin Dom Ndoc Nikajn (1864-1951) dhe me folkloristin Pashko Bardhin(1870-1948) për të themeluar shoqërinë letrare “Bashkimi” të Shkodrës, e cila i hyri punës për zgjidhjen e çështjes së alfabetit të shqipes. Në këtë kohë Fishta ishte bërë figurë udhëheqëse e jetës kulturore e publike në Shqipëri, e sidomos në Shkodër. Më 1902 u emërua drejtor i shkollës françeskane në qarkun e Shkodrës. Zëvendësoi italishten me shqipen, për herë të parë si gjuhë në shkollë. Kjo masë ndikoi për t’i dhënë fund mbisundimit kulturor italian ndër katolikët e Shqipërisë së veriut dhe të rinjve shqiptarë që studionin në këto shkolla, ua ushqeu një ndjenjë identiteti kombëtar. Më 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare “Bashkimi”. Fishta u zgjodh nga Kongresi për të kryesuar komisionin prej 11 delegatësh, që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara. Në tetor 1913, themeloi të përmuajshmen françeskane “Hylli i Dritës”, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë. Kjo revistë doli deri në vitin 1944, me ndërprerje në vitet 1915-1920 si dhe në vitet 1925-1929, kur Ahmet Zogu kishte vendosur censurë. Revista ndihmoi për zhvillimin e kulturës së veriut, ashtu si revista “Albania” e Faik Konicës (1875-1942) në Bruksel dhe në Londër, që kishte ndihmuar për afirmimin e kulturës mbarëshqiptare, përfshi edhe atë të jugut. Në vitet 1916-1918 Fishta botoi në Shkodër gazetën “Posta e Shqypnis”, një gazetë politike dhe kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadër të Kultusprotektorat-it. Fishta është autor i 37 botimeve letrare, por emri i tij është i lidhur me një nga krijimet më mahnitëse të letërsisë shqiptare – “Lahutën e malcís”, Shkodër 1937. Është një poemë epiko-historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për pavarësi, e në veçanti ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut të viteve 1858-1913. Kjo kryevepër letrare ishte shkruar midis viteve 1902-1909. Pastaj u ripunua nga autori gjatë një periudhe 30-vjeçare. Konsiderohet si e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore” – deklaroi ndër të tjera Xhelal Zejneli.
Në përputhje me Statutin e Shoqatës për kulturë dhe art “Tradita”, në Edicionin VII me radhë të manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon”, u shpall edhe laureati i Çmimit kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2020.
Këtë vit, pas shpalljes së konkursit dhe shqyrtimit të propozimeve të arritura, komisioni përkatës i kryesuar nga Prof. Dr. Zeqirja Idrizi, vendosi që Çmimi kombëtar “Ali Vishko” për vitin 2020, t’i ndahet historianit të njohur, Prof. Dr. Nebi Dervishit.

Kryetari i Komisionit, Prof. Dr. Zeqirja Idrizi e vlerësoi lartë veprimtarinë kërkimore, arsimore dhe shkencore të Prof. Dervishit, duke theksuar:“Profesor Dervishi aktualisht është ligjërues i rregullt në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës dhe një nga studiuesit dhe personalitetet e njohura të historiografisë shqiptare. Pjesëmarrja shumëvjeçare dhe aktiviteti i tij në fushën e arsimimit, në ruajtjen dhe kultivimin e traditës dhe veprimtaritë e ndryshme profesionale paraqesin segment të rëndësishëm në jetën dhe në punën e tij të deritanishme. Në opinion shkencor dhe profesional është i njohur si krijues i frytshëm dhe punonjës i palodhur i arsimit shqip. Nga analizat e opusit të tij mund të shihen rezultatet që tregojnë zhvillimin e suksesshëm dhe të vazhdueshëm shkencor, gjatë disa dekadave si dhe aktivitetet e frytshme në fakultetin ku ligjëron dhe jashtë tij”- deklaroi Prof. Dr. Zeqirja Idrizi.

Në këtë manifestim kulturor u tha se 10 qershori është datë e rëndësishme e historisë sonë dhe se u përkujtua kontributi i rilindësve tanë të cilët ishin të vetëdijshëm se vitet e humbura për shqiptarët nuk do të kthehen, ndaj mendjet më të ndritura të kombit me shumë peripeci e sakrifica nëpër dekada e shekuj, arritën që të lëshojnë rrënjë të thella në të gjitha segmentet e shoqërisë sonë, sidomos në ngritjen e vetëdijes kombëtare. Puna e palodhur e patriotëve shqiptarë u kurorëzua me themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 10 qershor të vitit 1878. Lidhja e Prizrenit jo vetëm që është një ndër ngjarjet më të njohura të historiografisë së popullit shqiptar, por ajo u bë edhe burim frymëzimi për shumë studiues e shkrimtarë, të cilët e kanë trajtuar në studimet e tyre dhe në veprat e tyre letrare e artistike.
Edicioni VII me radhë i manifestimit kulturor “Lidhja na bashkon” u mbështet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nga Universiteti i Tetovës, nga sipërmarrjet e njohura Zgjimi Kompani dhe nga STR Komjuters.
Manifestimi u mbyll me një program artistik të realizuar nga Teuta Emini, Nuhi Musa dhe Arben Rexha, ndërsa fotografitë i realizoi Dritan Abdiji.

Loading...