Historia dhe leksionet e saj që nuk i mësuam kurrë

Arbër Çeliku

Nuk besoj se ka ndonjë popull tjetër në botë, që ka prodhuar dhe konsumuar më shumë histori se ne shqiptarët. Madje, prodhimi dhe konsumimi i tepërt i historisë na ka shndërruar në një popull sa të ndjeshëm, aq nostalgjik dhe dramatik. Kështu që ne, me kokën të kthyer pas ecim përpara, pa ditur me saktësi drejtimin e lëvizjes tonë përpara.
Na pëlqen të mburremi me historinë tonë të stërlashtë, me heronjtë dhe martirët tanë, me figurat tona eminente, por kur vjen puna që ne vetë të krijojmë histori, atëherë hiqemi e striqemi si struca, nuk bëjmë zë nga frika imagjinare, e mbjellë në mënyrë sistematike nga e tanishmja jonë e kontrolluar nga politika dhe rrethanat shoqërore. Madje, ne heqim dorë nga historia dhe nga vetja. E glorifikojmë me dëshirë atë që na e imponon me çdo kusht politika dhe e tanishmja, duke e quajtur histori çdo lloj rrëfenje pas darke.

Cila është historia jonë në të vërtetë?

Mund të thurim histori të pafund trimërish, megjithatë tërësisht e pakontestueshme është se ne si popull, kurrë nuk kemi pasur një aristokraci të etabluar dhe të qëndrueshme, e cila nëpër rrjedhë të kohës do të projektonte plane afatgjate për ngritjen, ruajtjen dhe afirmimin e kombit. Çdo pushtues që ka ardhur, ka ngritur elita brenda natës. Eja turku, merre një tufë servilësh dhe ktheji në elitë. Eja serbi, njëjtë. Jugosllavia hiç më ndryshe. Këto elita tonat kanë qenë vetëm eksponentë, kurse planet afatgjate për ne i kanë bërë pushtuesit.

Mashtrimi historik nga ana e Titos

Përmes eksponentëve shqiptarë, të kthyer në elitë shoqërore-politike brenda natës, Titoja bëri mashtrimin më të madh historik përmes filozofisë politike të Vëllazërim-Bashkimit. Ata që për shekuj na kishin shtypur e sunduar, poshtëruar e persekutuar, papritmas na e shtrinë dorën e vëllazërim-bashkimit, që përmes misionarëve të tyre nga radhët tona të mos na linin që ne si komb të perparonim. Madje, e arritur historike kolosale llogaritet sot nga pasuesit e kësaj elite (të pranishëm në çdo pore të shoqërisë sonë) kushtetuta e vitin 1974, e cila neve, numerikisht mbi 3 milionë në ish-Jugosllavina, të tretët pas serbëve dhe kroatëve, na grupoi në grupin e kombësisë, me pa të drejtë vetëvendosjeje në rast të shpërberjes së federatës, kurse popujt si malezezët dhe maqedonasit, pakicë në federatën jugosllave, me të drejtë vetëvendosjeje, siç dhe ndodhi më pas.

Kur jemi te numrat…

Numrat janë fuqi, por pa një fuqi politike, ato janë një hiç. Serbët me përfaqësim numerik prej 3-4% kanë shumë më shumë fuqi juridike dhe politike se ne shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, që numerikisht jemi midis 30 dhe 40%. Gjuha serbe është e barabartë me kushtetutë me gjuhën shqipe në Kosovë, kurse në RMV gjuha shqipe as që përmendet me kushtetutë.

Përse kjo pafuqi e jona politike?!

Elitat e krijuara brenda natës nga hiçi, vetëkuptohet që cak të veprimtarisë së tyre politike-shoqërore e kanë pasurimin e vetvetes dhe të klikës së tyre, prandaj dhe ato fillimisht deformuan historinë, pastaj e bankrotuan shoqërinë. Dhe, një shoqëri në bankrot është shterpë për gjithçka, çështja kombëtare është një luks, që ne nuk e arrijmë dot…