Safije Sadiki Shahini, ka mbajtur sot fjalimin e parë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Duke debatuar për zv/ministrat, Shahini ka vlerësuar se ky debat është i padobishëm, duke pasur parasysh gënjeshtrat parazgjedhore. E me këtë rast ajo ka përmendur edhe genjeshtren me kryeministrin shqiptar. /tmv2
Fjalimi i parë i deputetës Safije Sadiki Shaini, nga koalicioni AAA-ASH
I nderuari Kryetar i Kuvendit,Të nderuar kolegë deputetë, ju përfaqësues të mediave dhe ju qytetarë të dashur,Kam kënaqësi që po ju drejtohem për herë të parë sot nga kjo foltore, edhe pse arsyeja që po ju drejtohem nuk është edhe aq festive. Unë nuk di si do ta përkthejnë përkthyesit aforizmin se “Dita e mirë shihet në mëngjes”, por kjo është fjalia që e tipizon më së miri këtë qeveri dhe që e shpjegon edhe këtë propozim sot. Nëse qeveria krijohet mes dy partnerëve që nuk lanë gjë pa i thënë njëri-tjetrit dhe pastaj u përqafuan sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ju nuk keni bërë asgjë tjetër, pos që keni vepruar brenda paradigmës së funksionimit që emërues të përbashkët e ka mashtrimin. Politikanët që gjatë fushatës mashtrojnë se “nuk ka qeveri me BDI-në” dhe pastaj as nuk kërkojnë falje, por në emër të paradigmës së mashtrimit e bëjnë të kundërtën, janë të njëjtë me ata tjerët që premtojnë kryeministra shqiptarë dhe pastaj, po ashtu në emër të paradigmës së mashtrimit, u thonë votuesve se “Zoran Zaevi është kryeministri shqiptar”. Andaj, kur ke të bësh me kategorinë e mashtrimit, bëhet i pakuptimtë debati për emrat, për kualitetet ose për dobësitë e tyre. Çfarë rëndësia kanë emrat e zëvendësministrave sot kur paradigma e funksionimit të kësaj qeverie është mashtrimi?!Të nderuar deputetë, sikur të ishte vetëm mashtrimi, mbase edhe do t’u falej, sepse gjithkush e bën vetëm atë që e di më së miri, por kjo qeveri që ditën e parë e filloi edhe me biznese shumë të dyshimta. Ne para disa ditësh tërhoqëm vërejtjen se kontrabanda që po ndodh me “Shik Jelak” në Tetovë është shenjë se kjo qeveri ka edhe një paradigmë shtesë dhe ky është korrupsioni dhe agjendat antieuropiane dhe anti-NATO. Pyetja që ne shtruam ishte se ku do të përfundojnë qindra milionat e këtij biznesi? Dhe, kur kësaj i shtohet edhe fakti se bizneset tashmë zhvillohen me afaristë të njohur për agjenda antieuropiane dhe lobistë anti-NATO, jam e bindur se kjo qeveri – pavarësisht emrave të propozuar – nuk mund ta implementojë as I-në e integrimit, as D-në e drejtësisë dhe as T-në e transparencës. Atributet e saj do të mbeten mashtrimi, korrupsioni dhe dezintegrimi. Kjo edhe është arsyeja që unë dyshoj shumë në kapacitetin e kësaj qeverie për reforma në drejtësi dhe kjo është arsyeja që unë besoj se me këso përbërje dhe me këso politike qeveritare jo që do të bëhemi anëtarë të BE-së, siç kanë premtuar në programin qeveritar, por kam dyshim se kështu mund të përfundojmë në ndonjë kosh që nuk do të na dihet fundi. Pasioni për pushtet dhe para sjell dëshpërim, mosbesim dhe pesimizëm te qytetarët. Mos harroni se aktorë të kësaj jeni pikërisht ju! Prandaj unë jam seriozisht e brengosur se çfarë i ndodhë shtetit tonë dhe ardhmërisë së fëmijëve tanë nëse ju vazhdoni të silleni me kaq joseriozitet me institucionet e shtetit. Nëse dita juaj fillon duke e rritur çmimin e energjisë elektrike, duke përjashtuar nga puna njerëz për shkak të përkatësisë etnike dhe duke bërë biznese me afaristë antiperëndimorë, për ne është qartë se çfarë do të jetë mbrëmja. Prandaj, të dashur qytetarë dhe ju kolegë deputetë, mos u merrni me emrat e përveçëm të zëvendësministrave! Ata janë të parëndësishëm në vetvete, pos nëse do të donim të flasim se kujt do t’i shërbejnë ata. Prandaj, për mua propozimet e sotme e shtrojnë këtë dilemë: o do ta mbështesim mashtrimin o do ta bëjmë betejën kundër mashtrimit. Kjo është edhe arsyeja pse unë do të votoj kundër këtij propozimi për zëvendësministra. Sepse dua të jem PRO qytetarëve dhe kundër mashtrimit. Ju faleminderit! Safije Sadiki Shaini22.09.2020
Posted by Alternativa on Tuesday, September 22, 2020