Cili është stili i BDI-së, a do të bëhet stil opozitar

Shkruan: Fatos Rushiti

Pas publikimit të rezultateve përfundimtare që dolën nga zgjedhjet e parakohshme, fuqia parlamentare duket që anon nga LSDM-ja e Zoran Zaevit. Kjo për faktin se, LSDM-ja si parti me më shumë deputet, qoftë tani me Lëvizjen BESA që e ka me vete, qoftë më herët me BDI-në, ASh- në dhe Alternativën që i kishte në Qeveri, shto këtu edhe marrjen pothuajse të sigurt të mandatarit për formimin e Qeverisë nga Presidenti Stevo Pendarovski, krijimi i shumicës parlamentare nuk e shoh se do të jetë problem.
Por lexuesi apo qytetari i rëndomtë, menjëherë mund të shtrojë pyetjen, po ku mbeti kryeministri i BDI-së?Të them mashtrim, në perceptim të parë duket mjaft e rëndë, sepse bëhet fjalë për një parti qe e ka gojën plot integrim, edhe pse vonoi anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe bllokoi procesin për anëtarësim në BE duke mbajtur dhjetë vjet Nikolla Gruevskin në Qeveri. Por edhe mund të keqkuptohem me politikologët e paktë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët mund të thonë se BDI-ja vepron në stilin e vet të të bërit politikë. Por nëse unë këtu, përmend “Car Dushanin”, “Kalanë e Shkupit”, “Shqiponjën në Çair”, me siguri politikologët do të fillojnë ta zgjerojnë percpeptimin se kjo mënyrë e të bërit politikë a është në dobi të elektoratit shqiptar apo jo?!

Nëse vazhdoj të përmend këtu, emërimet partiake në gjyqësi dhe kur eksponentë të lartë të BDI-së flasin për veting, nëse përmend këtu rastin më tipik të keqpërdorimit të individit, konkretisht luftëtarit shqiptar, i poshtëruar, i rrahur, i sharë e i vrarë në rastin e Kumanovës, duke vazhduar më tej, por shumë kujdesshëm me rastin “Monstra” me vrasjen e pesë të rinjve maqedonas, dhe dërdëllitjet në publik të prokurores së rastit Fatime Fetahi, si diçka e pazakontë për shtetet demokratike, rastin e Brodecit, ku të ngjethte mishtë vrasja e djalit të të ndjerit Ramadan Sinanit, intelektual i rrallë dhe ish i burgosur politik, më pastaj vrasjet enigmatike në Shkup dhe në Tetovë, të gjitha këto kur BDI-ja ishte në pushtet, me siguri politikologëve shqiptarë ai perceptimi mund t’i bëhet konceptim apo sistemim racional në mendjen e tyre.

Që nga viti 2002 përjashto 17 muaj kur PDSh-ja ishte në Qeveri, BDI-ja ka udhëhequr me shumë sektor të rëndësishëm, duke kombinuar njerëz të shkolluar me snobë total në shërbimin inteligjent. BDI-ja në stilin e vet të të bërit politikë krenohej me Kryeparlamentarin shqiptar, me ministrin e Mrojtjes shqiptar, tani krenohet, por si duket do të dalë lakuriq me kandidatin për kryeministër shqiptar, sepse askush nuk i’a do, as LSDM-ja, as VMRO-ja, as ASh-ja, as Alterantiva e as E Majta. Biles njeriu që ka zgjedhur si kandiadat e bën edhe më tragji-komike shtrirjen e stilit të të bërit politikë.

Po, suksese për të marrë pushtet, por të mbash pushtet në kuptimin e qeverisjes së mirë, pa nepotizëm e korrupsion, duke shpenzuar si duhet buxhetin e qytetarëve në shumë drejtori, me të cilat ka udhëhequr, kjo nuk vërehet në asnjë raport pozitiv, sidomos për Postën e Maqedonisë kur u dogj njëri nga objektet kryesore të saj, për drejtorinë e kullosave, Drejtorinë e udhëve, atë të doganave.

Prandaj LSDM-ja, por dhe VMRO-ja thuhet se janë lodhur me stilin e BDI-së të të bërit politikë, nuk i pëlqejnë më personat që me vite të të tëra mbajnë linjën korruptive në BDI.
Sipas disa informatave, LSDM-në dhe VMRO-në i kap trishtimi kur mendojnë se BDI-ja mund të udhëheqë prapë me arsimin, postën, udhët, Fondin pensional, atë shëndetësor, drejtorinë për dhënien me qira të objekteve afariste, ushtrinë, policinë , sektorin e sigurisë. Po pse lideri i BDI-së Ali Ahmeti nuk kandidoi asnjëherë për kryeministër, zëvendëskryeministër, ministër, drejtor, që të dihet performansa e tij në Qeverisje si p.sh., e Musa Xhaferit, Rafiz Halitit, Ramiz Merkos, Nevzat Bejtës, Izet Mexhidit, Sadulla Durakut, Teuta Arifit, e shumë të tjerëve, figura të rëndësishme partiake që i sjellin vota në terren BDI-së.

Nuk ka vend në Evropë që lideri i një partie si BDI, nuk ka kandiduar vetë për poste më të larta shtetërore. Është vërtet për rast studimi për hulumtuesit e shkencave politike të ndërtojnë hipoteza pozitive për liderin e BDI-së për qeverisje të sukseshme politike. Po ndonjëri nga ata që i ka ëndja benefitet e BDI-së në medie, në këshillime, do të thotë, po e keqe e keqe po i fiton zgejdhjet. Do të thonë po i mundi të gjithë, PDSH-në e bëri të vogël, Rufi Osmanin e mundi, Ziadin Selën e mundi në qytetin e tij, edhe në zgjedhjet lokale edhe tash në parlamentare, Lëvizjen BESA e mundi në 2016-ën, tani prapë i mundi ASh- në dhe Alternativën.

Epo kush nuk e kupton e kush nuk do t’a kuptojë një herë e përgjithmone si LSDM-ja e VMRO-ja ashtu dhe ASh-ja AA-ja, BESA, PDSh-ja stilin e të bërit politikë të BDI-së, prapë kjo parti me disa komandantë, familjarë të dëshmorëve, korruptuesit e hatashëm nëpër drejtori, shumë doktorë shkencash e intelektual të njohur, aktivistë vrasës dhe të vrarë, shantazhuesit lokalë dhe regjionalë, mbajtësit e thasëve me para në nivel degësh dhe nëndegësh, shënjuesit e krimit, njerëzit e Nënë Terezës në Shkup, shqiptarët ortodoksë, aleatët në Kosovë dhe në Shqipëri, disa prej të cilëve ia shpallën koalicionin në 2016-ën me Nikolla Gruevskin, të gjithë bëhen bashkë dhe prapë BDI-ja do të dalë e para në zgjedhje.

Po dikush nga hulumtuesit shkencorë mund të thojë qenka fenomen kjo parti, si ka mundësi që hajni e krimineli dhe intelektuali të bëhen bashkë për zgjjedhje?Do t’i përgjigjesha se vërtet është fenomen, por e keqja është se një fenomenolog poltitik që e kemi pasur ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, edhe ai ka vdekur që kur, Arbën Xhaferi.

Po ku mbeti kandidati për kryeministër? Po them unë: Eh, si e kaloi BDI-ja Car Dushanin, Kalanë, Kumanovën, do ta kalojë edhe këtë lojësi mashtrusese. Ndoshta njëmend nuk mund ta marrin kryeministrin, por kësaj radhe janë afër ta marrin timonin e opozitarit. Kjo është në dorë të Zaevit, askujt tjetër.

Nëse ndodh që BDI-ja të bjerë në opozitë, nuk e di si do të ndihen aktivistët e BDI-së, të cilët kishin marrë rrugë të gjatë për në Prespë dhe u dëshpëruan këndshëm kur Ali Ahmeti pëmendi emrin e Naser Ziberit simbolin e politikanit shqiptar i nënshtruar ndaj politikanit maqedonas. Ah, po, njëmend hiper pozitivi i BDI-së a nuk tha që vija të kuqe ka vetëm për Marrëveshjen e Prespës, me Bullgarinë duke përmend dhe një marrëveshje tjetër.

Hej politikologë, mos u habitini, BDI-ja edhe mund ta marrë kryeministrin dhe për gjashtë muaj mund ta realizojë Platformën e Tiranës! Kjo me siguri ju kujtohet!

(Autori është, redaktor/opinionist tek Iliria News Agency )

Loading...