Aktivisti kërcënohet me jetë, drejtori mohon! Bllokohet rruga që të çon në deponinë Rusino

Rrugës që të çon për në deponinë Rusino në Gostivar sot sërish iu vu trau! Do të jetë e bllokuar për 10 ditë me radhë, me kujdestari 24 orëshe, nga nisma qytetare “Stop Rusino”.

Për këtë edhe kanë vendosur tenda ku do të rrijnë aktivistët. Bllokimi vlen për të gjitha automjetet që transportojnë mbeturina, përfshirë ato të Komunës së Gostivarit.

“Kamionët me mbeturina të Komunës së Gostivarit mund ti lëshojmë vetëm nëse i plotëson kërkesat tona. Të ndërpritet ndezja e mbeturinave, të groposen vazhdimisht, të vendoset mbikëqyrje me kamera sepse nuk ka, sigurimi të punojë 24 orë e jo vetëm 8 orë dhe kërkesë të kërkohet ndihmë nga Qeveria. Kur do t’i plotësojnë këto kërkesa, vetëm kamionët e Gostivarit do të lëshohen, për të tjerët nuk lëshojmë pe, deri sa nuk gjendet lokacion tjetër. Rusinon nuk e japim!”, deklaroi Deso Mateski – Nisma Qytetare “Stop Rusino”.

Nëse kërkesat nuk plotësohen, bllokadat do të vazhdojnë edhe më tej, tha Mateski, i cili dje tha se “jetën e ka në rrezik dhe se personalisht e është kërcënuar drejtori i Higjienës Komunale të Gostivarit Isak Lazami”.

“Dje kam pasur kërcënime nga Drejtori i Higjienës Komunale Gostivar, me të më nuk do të negociojmë, nga tani do të bisedojmë vetëm me kryetarin e komunës”, tha Mateski.

Rastin e ka denoncuar në polici.

“Më 01 gusht 2020 rreth orës 19 e 50 minuta, në SPB-Tetovë, personi D.M. (32) nga Gostivari, i cili është prezantuar si aktivisti i iniciativës qytetare “Stop Rusino” ka kërkuar ndërhyrjen e policisë sepse, sipas tregimit të tij, personi me emrin I. e ka kërcënuar me jetë, se do ta vriste dhe do ta hidhte në deponi. Merren masat dhe aktivitetet për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit”, thanë nga Sektori për Punë për Brendshme – Tetovë.

Drejtori i Higjienës Komunale Gostivar, Isak Lazami, mohon që ta ketë kërcënuar me jetë Mateskin.

“Policia më thirri për shkak se individi që më ka paraqitur këtu më akuzon se unë e kam kanosur për jetë, që nuk është e vërtetë”, deklaroi Isak Lazami – kryetar NPH “Gostivar”.

Sa i përket bllokimit të rrugës që të çon në deponinë Rusino, Lazami thotë se si të gjithë gostivarasit, edhe ai do të donte të kishte një deponi bashkëkohore me standarde evropiane për të cilën po punohet, por tani për tani nuk ka alternativë tjetër.

“Ajo është deponi rajonale për të cilën njëjtë si ata, as unë nuk pajtohem. I kam përkrahur në debatet publike që edhe unë qëndroj pas jush për këtë iniciativë dhe deponia do të funksionojë ashtu vetëm për Gostivarin, përderisa për Gostivarin nuk ka alternativë tjetër, ne normalisht aty duhet të funksionojmë, ku do t’i çojmë mbetjet e Gostivarit, përderisa nuk ka deponi alternative?!”, shtoi Lazimi.

Për shkak të kësaj deponie, shpesh herë Gostivari ka qenë nën tym, për shkak të djegjes së mbeturinave!

Vetë kryetari i Gostivarit e ka quajtur këtë deponi të egër si “katastrofë ekologjike”, por komuna nuk ka kompetenca mbi të, andaj reagon vetëm kur deponisë i vihet flaka, duke angazhuar zjarrfikës të veçantë për shuarjen e zjarrit. Kompetencat për të gjitha deponitë rajonale i ka Qeveria./TV21