Ademi: Elmi Aziri ka qenë me mua dhe është munduar ta qetësojë situatën (Video)

Pas incidentit të një dite më parë në Komisionin për Çështje Evropiane, kryetari i këtij trupi parlamentar, Arbër Ademi, ka sqaruar se raportet me deputetin e Aleancës për Shqiptarët (ASH), Elmi Aziri, janë normale, ndonëse gjatë kaosit të krijuar dje, Aziri u qëllua nga filxhani që u hodh nga Ademi. Ky i fundit, madje, tha se deputeti Aziri ka qenë bashkë me të dhe se deputeti i opozitës shqiptare është munduar ta qetësojë situatën.

“Po jam dëgjuar. Elmi Aziri deri sa ka ndodhur aty ngjarja dhe pas ngjarjes ka qenë bashkë me mua, duke tentuar ta qetësojë situatën. Edhe pas ngjarjes, por edhe krejtësisht kur jam nisur për në shtëpi kam biseduar në telefon me Elmi Azirin. Madje më ka thënë që kur të jesh në Kumanovë të më ftosh për kafe. Këto kanë qenë fjalët e Elmi Azirit dhe kam marrëdhënie korrekte”, tha Ademi.